25 nëntor 2013- Me një minutë heshtje ka nisur në nderim të ndarjes nga jeta të kolegut të tyre, Sokol Olldashi, mbledhja e sotme e grupit parlamentar demokrat. Lulzim Basha, në një fjalim të shkurtër ka zgjedhur t’ia dedikojë të gjithë minutazhin kohor kujtimeve që la pas Olldashi. “Gjatë këtyre ditëve, morëm ngushëllime nga miq të huaj, përfaqësues diplomatikë të vendeve mike të botës këtu në Tiranë.
Të gjithë janë bashkuar me dhimbjen tonë, familjes, të gjithë vendit për humbjen nga jeta të z. Olldashi. Secili prej nesh dhe bashkë me ne, qindra e mijëra demokratë sjellim sot në mendje episode të ndryshme të takimit me Sokolin, punës dhe sfidave që ka përmbushur PD.
Secili ka diçka të veten për të kujtuar, terësia e episodeve është vendosmëria për të mbajtur gjallë kujtimet tona me Sokolin”, tha ai. “Kam dhe unë shumë për të kujtuar. Po evokoj shkurtimisht takimin që patëm vetëm pak ditë para aksidentit.
Ndamë të njëjtat pikëpamje lidhur me qeverinë e sotme që është shndërruar në një rrezik me paligjshmërinë dhe arbitraritetin. Ndamë bindjen se grupi jonë parlamentar demokratik të qëndrojë fort për të bër nul çdo përpjekje për përçarje për dobësimin e PD që është ëndrra e tyre e vjetër. Nuk mund të linte amanete, por opozita e fortë ishte një nga qëllimet e tij. Duke forcuar radhët tona, duke i zgjeruar ndaj brezit të ri, nderojmë kujtimin dhe veprën e tij demokratike”, deklaroi Basha.





