Pas, kryeministrit Edi Rama, në zyrën e Presidentit Ilir Meta ka mbërritur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me të cilin ka zhvilluar një bisedë 30 minuta.
Kryedemokrati mbërriti në Presidencë në orën 12:00 për të diskutuar me Metën për datën e zgjedhjeve. Pas takimit, Basha tha për gazetarët se qytetarët duan zgjedhje sa më shpejt, ndërsa për selinë blu është e rëndësishme që organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve të jetë i ndershëm.
“Qytetarët duan zgjedhje sot jo nesër. Ata duan zgjedhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet. Qytetarët kanë nevoje urgjente për punë. Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje. Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor, i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë. Fermerët kanë nevojër për subvencione, kanë nevojë për treg shitje. Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë e të jetojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri. Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot jo nesër. Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe ndershëm. Dhe për ta mbyllur me fjalën e Nënë Terezës meqë nesër ka dhe ditën e Shenjtërimit: E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur akoma, prandaj të fillojmë e të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen duke filluar sot të punojmë për ndryshimin”, tha Basha ndërsa i pyetur nga gazetarët, nuk u shpreh cilën datë preferojnë për zgjedhjet elektorale të vitit 2021.





