Tirane, 1 gusht 2013 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kreun në detyrë të Prezencës së OSBE, Robert Wilton.  Gjatë takimit ata diskutuan për zgjedhjet e 23 qershorit dhe arritjet në atë proces që i dedikohet angazhimit me vullnet të mirë politik të qeverisë dhe të mazhorancës së udhëhequr nga PD. Në takim u nënvizuan problematikat serioze që tashmë janë konstatuar në institucione dhe në publik për këtë proces.

 

Në mënyrë të veçantë biseda u ndal tek vjedhja flagrante e votave në qarkun e Lezhës dhe tentativa për marrjen e mandatit të Partisë Demokratike, problemet e konstatuara në qarkun e Shkodrës, etj.

 

“Basha theksoi se problemet e evidentuara janë pasojë e një vullneti të munguar të PS për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe se transparenca e plotë dhe vënia para përgjegjësisë e personave përgjegjës është mënyra e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur këto probleme për të ardhmen.”- bën të ditur PD.

 

Takimi që zgjati pak më tepër se 30 minuta, u zhvillua në selinë blu. Ambasadori Wilton e ka uruar Bashën për marrjen e detyrës së kreut të ri të Partisë Demokratike.