Situata aktuale politike dhe ekonomike në vend, krimi dhe korrupsioni, dekriminalizmi, zgjedhjet e lira dhe Reforma në Drejtësi, kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara gjatë takimit që kreu i opozitës Lulzim Basha zhvilloi sot me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini-n.
Basha ka shprehur në këtë takim shqetësimin për bllokimin që mazhoranca i bën punës së komisioneve hetimore parlamentare duke pamundësuar hetimin e çështjeve të rënda të korrupsionit si dhe shkarkimeve masive dhe emërimeve kriminale në administratë.
Gjatë takimit ku të pranishëm ishin gjithashtu edhe disa deputetë demokratë, çështja kyçe që u diskutua ishte dekriminalizimi, që sipas tyre, refuzimi i derisotëm për të futur në zbatim ligjin për dekriminalizimin, bashkë me shfaqjet e shëmtuara të kryeministrit krah personave me rekorde të tmerrshme kriminale si Artur Bushi, Elvis Roshi, Arben Ndoka, Armando Prenga risjell kujtimet e këqija të shqiptarëve për qëndrimin e kreut të mazhorancës në krah të krimit.
Lidhur me Reformën në Drejtësi, Basha është shprehur se “Partia Demokratike mbetet faktori më i interesuar për një drejtësi të reformuar, të pakorruptuar, të pashantazhuar dhe të pashantazhueshme e të pakapur politikisht përballë një mazhorance e cila ndonëse e ka të domosdoshme dialogun dhe konsensusin me opozitën për të miratuar reformën në drejtësi sipas rekomandimeve dhe kritereve të Venecias, refuzon deri më sot dialogun politik”.
Lideri i opozitës u shpreh optimist se BE do të vazhdojë të luajë rol pozitiv duke stimuluar dialogun politik, konsensusin, duke mbështetur dekriminalizimin dhe shtetin ligjor.
“Takimi i sotëm është një takim jashtëzakonisht i frytshëm dhe inkurajues, si takimi në format delegacioni ashtu edhe takimi kokë më kokë që pata me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian. Mendoj se mesazhet e mia u kuptuan qartë dhe kam shumë shpresë dhe besim se Bashkimi Europian do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv duke stimuluar dialogun politik, konsensusin, duke mbështetur dekriminalizimin, shtetin ligjor dhe reformën në drejtësi si prioritete absolute të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha pas takimit.





