5 shkurt 2015 – Kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi pas kthimit nga zon,at e përmbytura në Jug të vendit, grupin parlamentar te PD-së. Pasi i njohu deputetët me gjendjen që kishte parë vetë në këto zona tha se opozita duhet të vazhdojë të rrijë pranë njerëzve në nevojë, edhe në ditët në vazhdim.
Zoti Basha i bëri apel qeverisë të kryejë detyrën e saj dhe i bëri disa kërkesa që duhen plotësuar menjëherë për të tejkaluar gjendjen e rënduar në këto zona.
Ja kërkesat e Kryetarit të Partisë Demokratike drejtuar qeverisë:
-Të shpallë gjendjen e emergjencës.
-T’i futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin e gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre të domosdoshme.
-Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës, për gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.
-Të përllogariten në vijimësi humbjet dhe të vendoset kompensimi i tyre konform ligjeve të vendit.
-Të marrin masa pa humbur kohë për të evituar përmbytjet dhe fatkeqësitë e evitueshme në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.
-Të rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e fondeve për bujqësinë si dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.





