Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimit me qytetarët e Lezhës ka ftuar ata në protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Ai tha se të gjithë duhet të dalin në protestë për të dëshmuar se Edi Rama nuk është kryeministri i vendit, por hajduti i votave.

Sipas Bashës, kjo e fundit është faktuar nga investigimi i Zërit të Amerikës. Kryedemokrati u shpreh mes tjerash se PD-ja ka një plan të mirëfilltë për të rritur ekonominë dhe të mbështesë biznesin e vogël, ndërsa tha se Edi Rama është ulur në karrigen e kryeministrisë me ndihmën e Vangjush Dakos  dhe Niçes dhe disa të fortëve të tjerë si Bajrat në Shkodër dhe Ndokajt në Lezhë.

"Askush se paguan naftën më shtrenjtë se shqiptarët, Kudo që kam qenë ka dëgjuar se xhirot kanë rënë. Kjo është gjendja kudo dhe kjo po çon në mbylljen e bizneseve të vogla. Kjo është e papranueshme në tërësi. Kjo do të thotë se ekonomia është në krizë totale. Unë iu garantoj që ne si parti kemi një ndihmë, një plan për biznesin e vogël. Ju jeni pjesë e një zinxhiri të ekonomisë, i cili do të garantojë më shumë mirëqenie.  Energjia që premtoi se do ta ulte, ajo sot është rritur me 100 %. Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votat e shqiptarëve. E ka kapur Zëri i Amerikës. Të vini me 16 shkurt në Tiranë dhe t’i thoni se ai nuk është kryeministri juaj, por hajduti i votave. Rama nuk është kryeministër, por atje e kanë çuar Gjushi dhe Nicja. E kanë çuar Bajrët  e Shkodrës dhe Ndokajt në Lezhë", tha Basha.