TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka lançuar iniciativën e tij më të re, parlamentin rinor të Tiranës. I ftuar nga shkolla e mesme “Qemal Stafa”, në kremtimin e marrjes së çmimit “Prizmi i artë 2012”, për rezultatet më të larta të maturës shtetërore, Kreu i Bashkisë tha se ky parlament do të përbëhet nga presidentët dhe kryeministrat e qeverive studentore të 15 shkollave të mesme të Tiranës.
“Kam zgjedhur këtë moment, për të ndarë me ju dhe përmes jush me të gjithë komunitetin e gjimnazistëve të Tiranës vendimin tim, që duke filluar nga ky muaj, presidentët dhe kryeministrat e qeverive që ju keni formuar në shkollat e mesme të Tiranës, të formojnë parlamentin rinor të Bashkisë së Tiranës dhe nëpërmjet këtij parlamenti të vendosim se si do të përdorim më së miri ato fonde që Bashkia e Tiranës ka ndarë për gjimnazistët dhe shkollat e mesme të Tiranës. Unë e di që këto qeveri të gjimnazeve kanë disa funksione vendimmarrëse por besoj se ky është funksioni i parë vendimmarrës, ku faktikisht do të merren edhe me shpërndarjen e vlerave monetare dhe mendoj se kjo punë mund të bëhet dhjetëra herë më mirë, në bashkëpunim me ata që ju përfaqësojnë juve, gjimnazistët e suksesshëm të qytetit tim, se sa thjesht nga burokracia bashkiake, sado e përgatitur të jetë” – u shpreh Basha.
Kryebashkiaku u ka premtuar gjimnazistëve edhe shpërblime të veçanta për më të mirët e konkurseve që organizon Bashkia e Tiranës, tashmë edhe me ndihmën e parlamentit rinor.
“Ju e dini që Bashkia e Tiranës ka në program disa gara sportive, kulturore dhe shkencore. Për secilën nga këto gara, në bashkëpunim me këtë parlament rinor të Bashkisë së Tiranës, ne do të vendosim çmime, çmime që sot nuk do të jenë thjesht kupa argjendi apo të praruara me argjend por falë edhe mundësive të reja që ka brezi juaj, do të përfshijnë edhe ekskursione në kryeqendrat evropiane, pse jo nga Roma në Paris, nga Londra në Berlin, natyrisht edhe vizita në qendra të tjera që nuk janë kryeqytete, për vendet e dyta dhe të treta” – theksoi Basha.