Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të zgjedhur të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, duke e uruar në emër të PD-së për marrjen e detyrës së re.
Basha shpreh bindjen se kreu i ri i shtetit do të kontribuojë në ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik, konsolidimin e fuqizimin e shtetit demokratik të së drejtës si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Mesazhi i urimit:
"I nderuar President i zgjedhur i Republikës së Kosovës,
I dashur Hashim,
Me rastin e votimit tuaj nga Kuvendi i Kosovës në detyrën e lartë të kreut të shtetit, kam kënaqësinë t’ju përcjell përgëzimet dhe urimet e mia dhe të Partisë Demokratike.
Zgjedhja juaj si Presidenti i katërt i Republikës së Kosovës është kurorëzim i suksesshëm i historisë dhe kontributit tuaj politik për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e Kosovës tonë të shtrenjtë.
Shpreh bindjen se në lartësinë e besimit që ju morët, do të kontribuoni në ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik, konsolidimin e fuqizimin e shtetit demokratik të së drejtës si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Më lejoni që bashkë me konsideratën më të lartë t'ju uroj punë të mbarë dhe t’ju rikonfirmoj vullnetin tim dhe të Partisë Demokratike për bashkëpunim të mëtejshëm me ju, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj për realizimin e aspiratave të përbashkëta kombëtare."





