Tiranë, 13 maj 2014 – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot paradite një takim me dyer të mbyllura me të zgjedhurit vendorë për të dhënë direktivat për protestën e ditës së enjte. Në përfundim të kësaj mbledhje, Basha deklaroi se takimi kishte të bënte me konsolidimin e aksionit opozitar, i cili kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, si përgjegjës për fshehjen e trafikut të drogës.
“Qëllimi i takimit dhe takimeve të tjera me opozitën, me Partinë Demokratike, me përfaqësues të shoqërisë civile, me rininë, është konsolidimi i linjës opozitare dhe aksionit opozitar që sot është një aksion patriotik dhe gjithëpopullor; Shqipëria drejt Europës, jo drejt Kolumbisë. Largimi i Edi Ramës si kryeministër i vendit, si njeriu përgjegjës për fshehjen dhe mbulimin e fakteve tronditëse për trafikun e drogës me suport dhe mbështetje qeveritare, është dhe mbetet kërkesë ultimative e opozitës, dhe besoj e jam i bindur është edhe i opinionit publik shqiptar që nuk mund ta pranojë kthimin e Shqipërisë në një kartel të drogës”,- tha Basha.
Kryetari i opozitës njoftoi dje se, ditën e enjte do të zhvillohet një protestë para Parlamentit ku opozita do kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Rama, pas ngjarjes së Divjakës, ku u bllokua një avion dhe 460 kg drogë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





