Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Rrushkull të Sukthit, ku ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Basha është ndalur në disa zona të prekura nga përmbytjet ku bisedoi me banorët, të cilët ngritën disa shqetësime
“Këtu nuk është vënë dorë. Këtu kemi bërë investime vetë. Komplet kjo lagjja që është 20 e ca shtëpi, kanë bërë investimin vetë me djersë. Kanë shitur lopën, kanë shitur viçin për të bërë këtë investim. U bë argjinatura deri në njëfarë vendi, ngeli, e lanë, ikën. Erdhi deri këtu te ura ime, se e kam bërë vetë këtë urën. Kjo lagjja funksionon tek kjo urë. E kam bërë vet me forcat e mia. Sot ishte e bllokuar, 20 familje ishin të bllokuar. Bujqësia është mbi të gjitha”, tha një banor.
Ndërkohë Basha, pasi dëgjoi shqetësimet e tyre u shpreh se duhet marrë masa urgjentisht që të bëhen investimet, sepse nëse do ishin kryer investime më parë nuk do kishin ndodhur përmbytjet.
“Premtimet janë dhënë dhe investimet nuk janë bërë. Fjalë shumë, punë zero apo pak. Dhe faturën e paguani ju. Një faturë të kripur. Kjo është e para. E dyta, që është për mua e pafalshme, e papranueshme, ndërkohë që njerëzit janë në këtë situate, ja siç është kjo shtëpi këtu, edhe 10 herë më keq kam parë shtëpitë në Shkodër, Lezhë, këtu duke ardhur rrugës. Ndërkohë që ju jeni në këtë situatë pa ujë, të përmbytur ministrat e qeverisë shtrohen për shtat palë qejfe në restorantet më luksoze të Emirateve. Kjo është kriminale, është e papranueshme. Duhet një qeveri të mendojë për njerëzit jo një qeveri që mendon për veten, sepse ky vend nuk është i varfër, ky vend është i vjedhur, siç e the dhe vetë”, deklaroi Basha.





