Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë ditën e diel në një takim në akademinë e lidershipit të organizuar nga Instituti Republikan Amerikan (IRI) me të rinj nga Ballkani, që po zhvillohet në Durrës prej katër ditësh.

Basha tha se ky brez i të rinjve me vlera perëndimore po rritet dhe në Partinë Demokratike.

Deklarata e Lulzim Bashës:

Sot pata kënaqësinë të përshendes akademinë e lidershipit të organizuar nga Instituti Republikan Amerikan (IRI) me të rinj nga Ballkani, e cila po zhvillohet prej katër ditësh në Durrës. Një brez të rinjsh me mendje të hapur dhe vlera perëndimore po rritet në Ballkan. Ata do t’i çlirojnë shoqëritë tona nga mentalitetet e qasjet e vjetra, do t’i sjellin integritet dhe vlera demokratike politikës.

Një brez i tillë po rritet edhe në Partinë Demokratike. Ata do të kenë mbështetjen time dhe të gjithë drejtuesve të PD-së në rrugën e tyre drejt politikës. Jam i bindur se ata do të na bëjnë shpejt krenarë të gjithëve.

Jam i lumtur që IRI do të vazhdojë të mbështesë demokracinë shqiptare dhe Partinë Demokratike në veçanti, duke përcjellë vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë dhe vlerat e djathta të Partisë Republikne amerikane në veçanti.