29 shtator 2013- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se ligji mbi nëpunësit civil do të hyjë në fuqi në 1 tetor dhe nuk është kryeministri i vendit, ai që përcakton zbatueshmërinë ose jo të tij. Në një prononcim për mediat, gjatë inspektimit të punimeve në njësinë numër 7, Basha iu përgjigj Edi Ramës, në lidhje me çështjen e statusit të nëpunësit civil.

“Ligji i miratuar më 30 maj thotë që aktet nënligjore do të bëhen 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit më 1 tetor. Pra, ka tre muaj kohë për këto akte. Nuk mund të thotë kryeministri nëse është i zbatueshëm apo jo një ligj, por gjykatat. Çdo përpjekje për të shkatërruar konsensusin për këtë çështje, pengon integrimin evropian të vendit”, tha Basha, i cili i rikujtoi kryeministrit edhe premtimin për legalizimin falas të banesave.

“Po përfundojmë urbanizimin e një blloku të ri në qytetin tonë, shtrim rrjeti ujësjellësi, kanalizimi, asfaltimi, ndriçimi dhe ndërtimi trotuaresh. Kjo do të bëjë të mundur një cilësi më të mirë të jetës së banorëve përreth.

Uroj që me mbajtjen e premtimit nga ana e Bashkisë, të përfundojë pa para edhe legalizimi i banesave të kësaj zone, ashtu siç është premtuar nga qeveria e re”.