85% e shqiptareve refuzuan regjimin e grabitjes dhe dhunës. 85% e shqiptareve dje refuzuan Edi Ramën. 85% e shqiptareve treguan dje se duan ndryshimin.” Ky është leximi që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bën 30 Qershorit.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha tha se shqiptarët duan “jo ndryshimin e thjeshtë politik, “ik ti e të vij unë”, por ndryshimin e vërtetë që nis me ndryshimin e sistemit, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e votës dhe fuqizimin e saj.”

Basha tha se dje dështoi plani i Edi Ramës për votime njëpartiake.

Sipas tij,  “PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 Qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 Qershori.”, ndërsa “Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 Qershori.”

Për Kryedemokratin, votimi i djeshëm nuk e ka zgjidhur, por e ka thelluar krizën, ndërsa Rama nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt të ardhmes.

“Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën, sepse dje edhe më fort u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama, se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Beteja jonë vazhdon edhe më e fortë, edhe më e vendosur. Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon, Edi Rama duhet të largohet dhe të largohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt të ardhmes. Bashkë me të duhet të largohen dhe të gjithë qeveritarët e korruptuar. Dhe të inkriminuarit duhet që të gjithë të dalin para drejtësisë.”

Basha foli edhe për prioritetin e opozitës dhe të tijin personal pas 30 Qershorit.

“Tani, ndryshimi është prioriteti ynë politik. Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim. Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre, asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë. Ditën kur politikanët të kenë frikë nga ligji, të kenë frikë nga drejtësia, ajo është dita kur Shqipëria është bërë evropiane.”