Kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka votuar sot për kryetarin e ri të PD, ku në garë është edhe vetë përballë tre kandidatëve të tjerë, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Në një prononcim të shkurtër për mediat Basha e konsideroi votimin një proces unik, i bazuar sipas tij te vlerat e demokracisë, shprehjes së lirë dhe konkurrencës.

“Së pari dua të falënderoj mediat për mbulimin që po i bëjnë këtij procesi unik, dua të falënderoj demokratët anembanë Shqipërisë, kujdestarët e procesit komisionerë vëzhgues, në këtë proces unik, të vlerave tona, të vlerave të demokratëve, të zgjedhjet një anëtarë një votë të kryetarit të PD. Këto janë vlerat tona, vlerat e demokracisë, të shprehjes së lirë, konkurrencës, shprehjes së lirë dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë dhe shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në fund deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.