“Koha për të festuar të drejtat e grave është ende larg. Sot është koha për protestë dhe bashkim”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike gjatë një bashkëbisedime me gratë për 8 Mars, duke shtuar se breza të tërë shqiptarësh u rritën me gënjeshtrën komuniste se Dita e Gruas është festë.
“Breza të tërë shqiptarësh u rritën me gënjeshtrën komuniste se 8 Marsi është festa e grave, në fakt 8 Marsi nuk është ditë feste në asnjë vend të botës, as në vendet ku të drejtat e grave respektohen dhe dinjiteti i grave është i garantuar jo vetëm me ligj, por dhe në jetën e përditshme, 8 Marsi është një ditë proteste dhe përkujtimi. Është ditë protestë në të gjitha vendet dhe shoqëritë kur gratë, nënat, motrat, bashkëshortet tona nuk i kanë të garantuara në jetën e përditshme të drejtat kyshtetuese dhe legjitime që u jep ligji. Të drejtën për dinjitetin e tyre, për pagën e barabartë, për punën e barabartë, të drejtën për punësim dhe mbështetje. Koha për të festuar të drejtat e grave është akoma larg, sot është koha për protestë dhe bashkim. Në krye të saj kanë qenë dhe janë gratë”, tha lideri demokrat.
Basha akuzoi Ramën se ka instaluar modelin e gabuar, duke futur në Kuvend e administratë kriminelë dhe trafikantë të vajzave dhe grave shqiptare rrugëve të Europës.





