Largimi nga skema e ndihmës ekonomike e rreth 500 familjeve në Durrës ka sjellë shtimin e varfërisë , e rrjedhimisht të atyre që dalin në rrugë për të mbijetuar në të gjitha format e mënyrat.

Nëse deri pak më parë në rrugë ishin kryesisht fëmijët e komunitetit gjiptian e rom, heqja nga skema e ndihmës ekonomike e shumë familjeve, ka detyruar ata që të zbresin në rrugë për të mbijetuar në mungesë të kushteve më minimale të jetesës.

Por ndërsa reforma e shkrirjes së Shërbimit  Social në Durrës, përkthehet në më shumë të varfër, problematika sa vjen e rëndohet në këtë drejtim.

"Bashkia e Durrësit po punon që në vitin 2018 të hapë një strehë për të gjithë fëmijët që janë në rrugë, dhe për gratë e dhunuara të cilat nuk kanë asnjë mundësi strehimi."

Këtë deklaratë bëri nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri gjatë një takimi të zhvilluar me OJQ e grupe interesi që kishin në fokus fëmijët në situatë rruge.

Meme Xhaferri, drejtore e Shërbimit Social në Durrës tha se “Qëllimi i takimit është të bëjë bashkë aktorët e ndryshëm për të ndihmuar fëmijët  që janë në rrezik të lartë dhe ata në situatë rruge.

Aktiviteti organizohet  me shoqatën “Në ndihmë familjet për familjet” me mbështetjen e “ Save the children” dhe “ Terres des homes”.