Zbardhen detaje të reja në lidhje me 29-vjeçarin Ariol Halilaj, i cili u vu në pranga si bashkëpunëtor i atentatorëve të prokurorit Arjan Ndoja. Mësohet se Halilaj ka qenë i punësuar pranë Inspektoriatit të Pyjeve në Tiranë, një detaj ky që e lidh mjaft ngushtë me Santiago Malkon, ish-të punësuarin si inspektor që u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se i riu është i përfshirë drejtpërdrejt në atentatin ndaj Ndojas, pasi ka qenë ai personi që ka larguar autorët e krimit nga vendngjarja, bashkë me mjetin, nga i cili dolën plumbat e kallashnikovit. Emri i Halilajt ka dalë nga telefoni që iu sekuestrua Redjan Rrajës, i cili është në burg për të njëjtën ngjarje.

Mësohet gjithashtu se Ariol Halilaj ka strehuar në shtëpi Rrajën pas krimit, por ky i fundit u prangos teksa po tentonte të kalonte kufirin e Shqipërisë. Për Halilajn, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.