Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur sot për task-forcën e krijuar në bashkëpunim mes KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke e cilësuar atë si një shembull të mirë të bashkëpunimit institucional në funksion të garantimit të integritetit të zgjedhjeve.

“Produkti ishte ky proces zgjedhor që zhvilluam. Mendoj se përtej sarkazmës nga aktorët politikë ndaj këtij bashkëpunimi, jam i bindur se ka qenë një bashkëpunim i suksesshëm,” deklaroi Celibashi.

Ai pranoi se partitë politike kanë qëndrimet e tyre kritike dhe shpesh të ndikuara nga interesat politike, por theksoi se vlerësimi i tij si drejtues i institucionit zgjedhor është se task-forca ka pasur një impakt pozitiv në gjithë procesin zgjedhor.

“Partitë politike kanë gjykimet dhe vlerësimet e tyre, si ndaj KQZ, ashtu edhe ndaj SPAK apo Prokurorisë së Përgjithshme. Por unë mendoj se impakti ka qenë realisht pozitiv,” tha Celibashi.

Ai shtoi se është e vështirë të thuhet si do të ishte situata pa këtë bashkëpunim institucional, por nënvizoi se prania e task-forcës ka ndihmuar në rritjen e transparencës dhe në adresimin më të shpejtë të problematikave.

“Është e vështirë për ne të themi si do ishte situata nëse nuk do ishte ajo task-forcë, por fakti që ishte aty ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit,” tha ai.