Një konferencë e përbashkët për mediat është zhvilluar këtë të mërkurë mes Policisë së vendit tonë dhe Policisë Spanjolle. Në fokus të saj ishte zbatimi i detyrimeve që parashikon marrëveshja e ekstradimit, në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në fjalën e tij tha se Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake për evidentimin e të gjithë personave të kërkuar nga autoritetet spanjolle. Nano theksoi se deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.
“Jemi këtu sot, së bashku me partnerët e Policisë së Mbretërisë së Spanjës, për të informuar qytetarët e të dy vendeve tona, ata të BE-së dhe më gjerë, se bashkëpunimi ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese po vijon të thellohet dhe po shkon në drejtimin e duhur, ku gjithsecili dëshiron t’i shohë mbrojtësit e ligjit dhe të sigurisë së jetës dhe pronës së tyre.
Në politikat e saj prioritare, Shqipëria është e angazhuar me krejt kapacitetet e saj njerëzore, logjistike dhe ligjore dhe po punon për rritjen e parametrave të sigurisë në vend, një kontribut i cili zë vend dhe reflektohet edhe në sigurinë e vendeve te BE-së e më gjerë.
Rritja e rolit dhe e përmasës operacionale të Policisë së Shtetit dhe të agjencive ligjzbatuese në vend u vu re në operacionet e drejtuara dhe të koordinuara nga partnerët apo strukturat homologe ndërkombëtare, vijon të tregojë vendosmërinë dhe profesionalizmin e këtyre strukturave dhe seriozitetin e Shqipërisë, për të punuar dhe për t’u bashkërenduar ngushtësisht, me të gjithë aktorët e zbatimit të ligjit, si brenda dhe jashtë vendit.
Këtij qëllimi i shërben edhe nënshkrimi i marrëveshjes së ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, e cila hyri në fuqi më 16 mars të vitit 2022.
Vlen të përmendim faktin se Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake për evidentimin dhe verifikimin e të gjithë personave të kërkuar nga autoritetet spanjolle dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në koordinim të ngushtë me autoritetet spanjolle të zbatimit të ligjit, veçanërisht me strukturat e INTERPOL-it dhe FAST-it të të dy vendeve, ka filluar operacioni dhe deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, për veprat penale: “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shkelja e ligjit për drogat”. Këta shtetas vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.
Po në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2021 janë realizuar operacionet e suksesshme: “DOBRA”, “NOMADA” dhe “SHPIRTI”. Po ashtu, të suksesshme ishin dhe operacionet e zhvilluara më parë si: operacioni “VAZHDIMI” dhe Mega Operacioni “ONE IF-BY LAND”, rezultatet e të cilëve i kemi bërë të ditura në komunikimet e mëparshme.
Këto operacione dhe hetime kanë qenë të fokusuara kundër grupeve kriminale të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, pastrimit të parave, vjedhjeve të banesave etj. Në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme bimësh e lëndësh narkotike, armë zjarri, para cash dhe automjete. Në Shqipëri janë sekuestruar edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe janë bllokuar aktivitete tregtare.
Me autoritetet spanjolle të emigracionit kemi pasur gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë. Kjo është reflektuar edhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm për kthimin e shtetasve shqiptarë, që gjenden, me qëndrim të parregullt, në territorin spanjoll. Autoritetet spanjolle dhe Policia e Shtetit shqiptar kryejnë fluturime të përbashkëta riatdhesimi, të koordinuara nga FRONTEX.
Autoritetet spanjolle janë angazhuar edhe me ofrimin e asistencës teknike për Policinë e Shtetit përmes organizimit të trajnimeve dhe seminareve, si dhe koordinimin e zbatimin e projekteve të ndryshme”-tha Nano.
Sakaq, Juan Pablo Iglesias Bellido, atashe i Ministrisë së Brendshme spanjolle tha: “Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit që lejon ekstradimin reciprok të shtetasve, plotësuese me Marrëveshjen Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957, Shqipëria dhe Spanja bëjnë një hap të madh përpara në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Shqipëria tregon vendosmërinë e saj absolute për të mos qenë strehë për kriminelët, gjë që konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një shenjë e padiskutueshme e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në shtetin e së drejtës. Me këtë operacion për gjurmimin e të arratisurve të kërkuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, Policia e Shtetit shqiptar dhe Policia Kombëtare përforcojnë kanalet e tyre, tashmë të rrjedhshme të bashkëpunimit policor dhe strategjisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, e cila pa dyshim duhet të merret në konsideratë si një shenjë uniteti mes dy kombeve tona”.