Programet e përbashkëta të studimit mes Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe universiteteve prestigjioze evropiane janë një mundësi e “artë” për studentët për t’u pajisur me diplomat e dyfishta.

Një mundësi për të mos u humbur është bashkëpunimi i Fakultetit të Shkencave Politike Juridike (FSHPJ) në UAMD me Universitetin e Xhenovës në Itali.

Detajet na i shpjegon zv. Dekania për Kërkimin Shkencor në këtë fakultet Belina Bedini.

“Kjo diplomë është licensuar që vjet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe këtë vit akademik do të mirëpresë studentët e brezit të dytë.

Si funksionon kjo diplomë e dyfishtë në “Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike”?

Studentët që kanë dëshirë të ndjekin këtë program studimi regjistrohen normalisht si në çdo program tjetër studimi, në çdo universitet shqiptar. Ata ndjekin 2 vite studimi këtu,  në FSHPJ,  ndërsa vitin e tretë, në simestrin e parë, ata që kanë dëshirë do të shpërngulen në Xhenova dhe do të ndjekin atje një simestër akademik.

Me të përfunduar këtë simestër, do të japin provimet përkatëse të atij semestri dhe do të rikthehen në fakultetin tonë për të vazhduar studimet në simestrin e dytë. Në fund, ata do të mbrojnë diplomën me dy profesorë; një profesor italian dhe një profesor shqiptar dhe në fund të studimeve do të përfitojnë dy diploma.

Diploma e parë do të jetë në ciklin Bachelor për “Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike” nga UAMD dhe diplomën tjetër “Scienze internazionali e diplomatiche” nga universiteti i Xhenovës”.

Ajo që do të përfitojnë studentët e degës “Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike” nuk do të jetë vetëm diploma e dyfishtë, por edhe bursa e studimit.

“Kjo diplomë u ofron studentëve një mundësi të shkëlqyer të marrin një diplomë italiane pa u larguar nga Shqipëria, ose të paktën duke u larguar vetëm për 3 muaj. Madje edhe për këto 3 muaj, ne si universitet, në bashkëpunim dhe me universitetin e Xhenovës, duke shfrytëzuar fondet e BE-së, të programeve ERASMUS+ do t’u japim mundësi studentëve,, që shpenzimet e qëndrimit në universitetin pritës të jenë të mbuluara nga programet Erasmus.”

Falë strategjisë për ndërkombëtarizimin e programeve të studimit, Fakulteti i Shkencave Politike Juridike ofron 5 programe të përbashkëta në 3 ciklet; Bachelor, Master dhe Doktoraturë:

– Bachelor në “Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike” me Universitetin e Xhenovës;

– Bachelor në “Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ” me Universitetin “Sapienza” Romë;

– Master Shkencor në “ E Drejtë Evropiane dhe e Krahasuar” me Universitetin “Sapienza” Romë;

– Master Shkencor në “Administrim Publik” me Universitetin “Cote D’Azur”;

– Doktoraturë në “ E Drejtë Publike” me Universitetin Tor Vegata.

“3 diploma kanë nisur vjet, pra në vitin akademik që sapo mbyllëm, ndërsa 2 të tjera më parë, Në fakt, në bazë të të dhënave statistikore Fakulteti i Shkencave Politiko Juridike #shtë fakulteti që ka më shumë diploma të dyfishta dhe është një hap shumë më përpara në procesin e ndërkombëtarizimit në të gjitha universitetet e rajonit”,– thotë zv/dekania Belina Bedini.

M.B.