Në vijim të turit “Bashkëqeverisja me njerëzit”, deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste në qarkun Durrës, Rolant Xhelilaj dhe Klodiana Spahiu u ndalën në lagjen numër 17, ku zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e kësaj zone.
Xhelilaj falënderoi banorët e kësaj lagjeje për mbështetjen e madhe me votë, që i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Qershorit, teksa i siguroi ata se takime të tilla do të ketë në vijimësi gjatë gjithë 4-vjeçarit të ardhshëm. “Ne kemi gjithë mundësitë për të bërë më të mirën, dhe që të arrijmë këtë, për ju, për gjithë komunitetin duhet bashkëpunim shumë i mirë i juaji me ne, gjë që ka nisur me këtë dëgjesa dhe besoj se do të vijojë gjatë gjithë 4-vjeçarit”, u shpreh Xhelilaj.
Ndërsa deputetja Spahiu i cilësoi dëgjesat publike si gjëja më pozitive pas 25 Qershorit në mënyrë që të vijohet komunikimi dhe kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët. “Është gjëja më pozitive pas fitores së 25 Qershorit, vazhdimi i kontaktit me qytetarët dhe biseda me ta. Është tepër e vlefshme, jo vetëm për ne si deputet, por për çdo banor të zonës dhe për gjithë qytetarët e Durrësit”, deklaroi Spahiu.
Banorët e lagjes numër 17, nga ana e tyre, kërkuan që mandatin e ri qeverisës administrata publike të jetë më efiçente në përgjigjet e kërkesave të qytetarëve duke kërkuar një reformë sa më të thellë në këtë sektor.





