Në vijim të turit, “Bashkëqeverisja me njerëzit”, deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste në qarkun Durrës, Rolant Xhelilaj dhe Jurgis Çyrbja, zhvilluan një takim me banorët e Xhafzotajt, njësia administrative Rrashbull.
“Ky kontribut që ju dhatë me votë për Partinë Socialiste, për kryeministrin Edi Rama, do t’ju kthehet padiskutim në shërbime më të mira për ju, për komunitetin, për këtë njësi, për gjithë qarkun e Durrësit. Përpjekjet që kemi bërë gjatë kësaj periudhe, nuk kanë lidhje thjesht me 25 Qershorin, ato kanë lidhje me një drejtim ndryshe, me një qeverisje ndryshe, e cila do të punojë fort për të realizuar gjithë detyrimet që ka karshi qytetarit”, u shpreh Xhelilaj.
Në fjalën e tij, Xhelilaj bëri të ditur gjithashtu se do të zgjidhet shumë shpejt problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone në sajë të investimit që tashmë ka nisur. Me përfundimin e këtij investimi, theksoi Xhelilaj, gjithë zona do të kenë një furnizim normal me ujë të pijshëm.
Ndërkohë, deputeti Çyrbja tha se “kemi arritur çdo objektiv në këtë zonë, kemi dalë forcë e parë në njësinë administrative Rrashbull, prandaj ne ju jemi shumë mirënjohës dhe sot kemi ardhur për t’ju falënderuar dhe për t’ju dëgjuar, për të bashkëbiseduar me ju, për sugjerimet që mund të keni për bashkëqeverisjen në vitet e ardhshme”.
Nga ana e tyre, banorët ngritën shqetësimin përsa i përket çështjes së certifikatave të pronësisë duke kërkuar që kjo problematikë të marrë fund një herë e mirë. Vonesat me hipotekën ishte një tjetër çështje për të cilën banorët shprehën pakënaqësitë te tyre.





