Nga Gëzim KABASHI
Pëllumb Deçolli, një nga aktorët më simpatikë të tearit të Durrësit sot ka ditëlindjen, plot 73 vjeç.
Ky është një rast i mirë për të kujtuar, përmes një shkrimi të vitit 2012, kontributin e tij dhe të bashkëshortes, Nikolina Deçolli në jetën kulturore-artistike të qytetit tonë.
Bashkëshortët Deçolli kanë ardhur këto ditë nga Italia në Durrës për të rinovuar pasaportat dhe për të plotësuar dokumentacionin e pensionit, moshë së cilës po i afrohen. Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku Pëllumbi ka kontribuar për 20 vjet apo edhe në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ku bashkëshortja e tij, Nikolina, ka punuar si mësuese e violës, drejtuesit, kolegët, miqtë e shokët përpiqen tu vijnë në ndihmë dy bashkëqytetarëve artistë, veprimtaria e të cilëve i bashkohet traditës së re kulturore të qytetit të lashtë.
Për këdo që ka ndjekur sadopak jetën kulturore dhe artistike të Durrësit në vitet 1970-1980 Pëllumbi dhe Nikolina janë artistët e skenës, të cilët përveç kontributit 20-vjeçar përmes aktrimit dhe formacioneve orkestrale kanë punuar për përgatitjen e plot artistëve të rinj.
Nga Durrësi në Itali
Familja Deçolli që nga viti 1993 jeton në Marconia (Pisticci), në jug të Italisë. Megjithë vështirësitë e jetës së një familjeje emigranti, Nikolina u jep privatisht mësim studentëve të violës dhe violinës që përgatiten për provimet në konservatorin e Materas, ndërsa nuk kanë munguar pjesmarrjet si soliste në koncerte apo pjesmarrjet në formacionet orkestrale.
“Kohët e fundit kemi dhënë shfaqje në Potenza dhe Lodi-tregon në një intervistë, Nikolina Metaraku Deçolli, e cila pohon se sistemimi në një punë të përhershme është vështirësuar në mënyrë artificiale për shkak të të statusit të emigrantit ekstrakomunitar.
Megjithatë edhe Nikolinën e ka marrë malli për jetën artistike të shkollës dhe të pallatit të kulturës. Kujton veprimtarinë “E enjtja muzikore”, së bashku me ambicjen e instrumentistëve për tu paraqitur sa më denjësisht në koncertet që organizoheshin në sallën që tani mban emrin “Nikolin Xhoja”.
Të dy artistët e rinj janë njohur gjatë studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Ishte fillimi i viteve 1970 dhe vajzën nga Tirana, e cila që në moshën 15-vjeçare interpretonte në violë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit e emëruan mësuese në shkollën artistike “Mujo Ulqinaku” të Durrësit, ndërkohë që Pëllumbi nisi punën si aktor në teatrin e qytetit.
Do të punonte me artistë të mëdhenj. Mes tyre edhe Nikolin Xhoja, të cilin Pëllumbi e kujton si një mjeshtër të vërtetë të skenës.
“Mbaj mend, skenën e “komunikatës komuniste” në zyrën e “Prefektit”, ku unë luaja rolin e memecit-thotë Pëllumbi. Nikolini ishte i jashtëzakonshëm.”
Në të njejtin plan me aktorin e madh të skenës durrsake, pedagogët e Institutit të arteve Kujtim Spahivogli, e Birçe Hasko, por edhe regjisorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” Vangjel Heba, Haxhi Rama e Mario Ashiku panë te Pëllumb Deçolli talentin dhe shkëndijat e një mjeshtri në fushën e satirës dhe humorit.
Nga estrada në teatër
“E kam ftuar Deçollin disa herë në shfaqjet e trupës së Estradës-dëshmon regjisori i mirënjohur Gjergj Vlashi. Kujtoj një nga skeçet ku interpretonte përkrah Artistit të Merituar Spiro Strati, skeç, i cili u bë i famshëm për shkak të batutës së Pëllumbit: Dridhe Like!
Deçolli u radhit përfundimisht në trupën e teatrit dramatik, me të cilën u aktivizua në dhjetra premiera.
“Një nga shfaqjet e para ka qenë “Zani partizani”, ku interpretoja Seferin, shërbëtorin e beut-kujton Pëllumbi premierën e vitit 1974. Ai mban mend se kjo shfaqje u regjistrua edhe në Televizionin Shqiptar, duke shfrytëzuar rrugicat e qytetit të Beratit, por për fat të keq si edhe shumë regjistrime të tjera TV edhe “Zani partizani” ka humbur.
Në mesin e viteve 1975 Pëllumb Deçolli i bashkohet aktorëve të tjerë të planit të humorit në teatrin “Moisiu”, Mirush Kabashi dhe Milto Profi, të cilët nën drejtimin e regjisorit dhe libretistit Haxhi Rama prodhojnë disa nga “xhevahiret” e skenës shqiptare.
“Kartela e verdhë” dhe disa vite më pas “Lojtari nr 10” që mbajnë firmën e autorit dhe regjisorit Rama bëhen “kali i betejës” për trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
“I kemi rënë Shqipërisë dy herë kryq e tërthor me “Kartelën e verdhë”, duke dhënë edhe në qytete shumë të vogla dy javë shfaqje radhazi.
Deçolli kujton se shkulja nga menteshat e portës hyrëse të teatrit të Beratit u bë shkak për një mbledhje të gjatë në Komitetin e Partisë së Durrësit, të cilin informacioni nga kolegët partiakë beratas e njoftonte se “Kartela e verdhë” ishte “një shfaqje në të cilën tallej klasa jonë punëtore”.
Shfaqja shpëtoi për një qime pa u hequr nga repertori, po kuptohet që iu bënë disa shkurtime e ndryshime.
Tashmë Pëllumb Deçolli kishte përvojën e nevojshme për të përballuar role të rëndësishëm të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore.
Në komedinë e Molierit “I sëmuri imagjinar”, regjisori Sokrat Mio i beson rolin e Thoma Diafarysit; Haxhi Rama e aktivizon te “Mirseerdhe Elona”; Deçolli luan rolin kryesor te “Lindja e një burri” të Ruzhdi Pulahës vënë në skenë nga Enver Plaku.
Pa harruar prezantimet e Koncerteve televizive të natës së ndërrimit të viteve në TV shqiptar.
Veprimtaria artistike e teatrit nuk ndërpritej edhe në stinën e verës, kur grupe aktorësh e këngëtarësh së bashku, jepnin disa shfaqje në ditë në fshatra; ndonjëherë drejtpërdrejt ku punonin fshatarët në fusha, më të shumtën e rasteve mbrëmjeve në qendër të katundit.
“Ishin shfaqje që kërkonin të njejtin impenjim si në skenë-kujton Deçolli sezonet verore që kanë kaluar me turne nga Ishmi në fshatrat e thellë të Rrogozhinës.
“Karnavalet” dhe “Dy herë mat” janë filmat artistikë të Kinostudios “Shqipëria e re” ku Deçolli rreshtohet në kastin e aktorëve. “Komandant Lilo prej Delvine” është një nga figurat më të spikatura të kino-operetës “Karnavalet” dhe aktori nga Durrësi ka me se të krenohet, megjithëse ai vazhdon të vuajë faktin që nuk ka thuajse asgjë të regjistruar nga krijimtaria e tij.
Në arkivin e teatrit, si gjithmonë, Luan Jaupi na ofron foto nga disa prej premierave më të mira të aktorit 63-vjeçar, duke na kthyer përsëri shumë vite pas.
Kabashi: Në skenën e teatrit edhe kontributi i Deçollit
“Pëllumbi ka një predispozitë natyrale ndaj humorit dhe për të ishte shumë e lehtë të qëndronte përballë partnerëve”.
Mirush Kabashi, një nga aktorët, thuajse me të njejtin stazh pune në teatrin e Durrësit vlerëson karakteristikat aktoriale dhe aftësitë e lindura të Deçollit për satirën dhe humorin.
“Kemi luajtur shfaqje pa fund së bashku dhe unë kujtoj një nga të parat me titull “Ah, kjo traktoristja”-tregon Mirushi për kolegun, i cili pas largimit të vështirë drejt Italisë është shkëputur plotësisht nga profesioni i aktorit.
“Megjithatë Pëllumb Deçolli, si shumë aktorë të tjerë, është një pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit të qytetit tonë, një nga më dinjitozët dhe më të njohurit në shkallë vendi-insiston Mirush Kabashi, që aktualisht është pjesë e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Sipas Kabashit, 60-vjetori i themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, më 11 janar të vitit 2013 përbën një rast shumë të mirë për të sjellë në vëmendje bashkë me historinë dhe vlerat e institucionit edhe kontributet e rëndësishme të shumë prej artistëve, të cilët pas viteve 1990 i humbën kontaktet e drejtpërdrejta me artin.
“Shkolla e vërtetë e formimit tonë ka qenë me siguri ky teatër, në të cilin ne gjetëm një përvojë të kualifikuar, aktorë të mëdhenj dhe regjisorë specialistë” – vlerëson Mjeshtri i madh.
Pëllumb Deçolli me punën e tij nga viti 1972 deri në vitin 1993 bën pjesë te grupi i kontribuesve të rëndësishëm në historinë 60-vjeçare të teatrit “Aleksandër Moisiu”-përfundon Mirush Kabashi.
Foto: “Lojtari nr 10 me Violeta Deden; “Isemuri imagjinar” me Mirush Kabashin