Një çift shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka humbur jetën në një aksident automobilistik. Viktimat janë Muhamet Oparaku 68 vjeç dhe bashkëshortja e tij Budkurie Oparaku 64 vjeçe, të dy nga Pogradeci.
Ngjarja ka ndodhur në New Jersey më 29 qershor, ndërsa është raportuar një ditë më parë nga mediat amerikane. Automjeti i tyre tip Toyota Corolla u përplas nga një makinë tjetër tip Dodge që drejtohej nga 29-vjeçari Donald Kumar Davis. Ky i fundit është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të dy personave në aksident.
Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e automjetit që drejtohej nga 29-vjeçari Davis, raporton “Daily Voice”.
Muhamet Oparaku ka qenë shef policie në Pogradec. Dhjetë vite më parë, ai dhe bashkëshortja emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqtë dhe banorë të zonës thanë se çifti shqiptar ishin njerëz të respektuar.
Familjarë të çiftit Oparaku thanë se dëshira e vetme e tyre ishte që të varroseshin në vendlindje, në Shqipëri. Për këtë arsye ata nisën një fushatë online për mbledhjen e fondeve që trupat e tyre të dërgoheshin në Pogradec.





