TIRANE, 26 shkurt 2013– Një kafe në shtëpinë e të ndjerit, kryeko misarit Dritan Lamaj, i cili u ekzekutua vetëm disa hapa larg shtëpisë së tij me 28 plumba, është e rëndë dhe e ftohtë njësoj si nata në të cilën ai iku nga kjo botë.
Në shtëpinë e tij mbizotëron zia dhe dhimbja, teksa shumë miq dhe të afërm i japin familjes ngushëllimet e tyre.
Dhimbja duket sikur i ka dërrmuar zemrën nënës së kryekomisarit, ndërsa bashkëshortja e tij, Anila mezi arrin të qëndrojë në këmbë nga dhimbja për humbjen e bashkëshortit.
Në një moment vjen lajmi që në Selanik janë arrestuar dy autorët e krimit, Arben Frroku dhe Jak Jaku.
“E dija që ishin ata…”, – pohon bashkëshortja e Dritanit, Anila. Fjalia e saj ngre dyshimet se familja e tij ka ditur diçka për konfliktet e ish-shefit të Komisariatit të Kombinatit dhe biznesmenit Arben Frroku. Ky i fundit, herë pas here i ka dërguar edhe kërcënime apo trakte të ndryshme Tanit, – ashtu siç e thërrisnin shkurt miqtë e tij, – por që askush nuk i kishte marrë në konsideratë. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja se pse dy ditë më parë, breshëria e automatikut i mori jetën Dritan Lamajt. Mungesa e tij ndihet në gjithë shtëpinë, madje për shumë miq dhe të afërm, vdekja e tij është e pabesueshme. “Nuk arrij ta besoj që Tani nuk është më, më duket si një ëndërr. Unë jetoj në Greqi, por edhe kur të kthehem atje, sërish për mua Tani do të jetojë”, – pohon motra e tij.
KONFLIKTET
Historia e konflikteve mes kryekomisarit Lamaj dhe biznesmenit Frroku, ka nisur gjatë kohës kur Dritani, i cili për 15 ditë mbushte 41 vjeç, drejtonte Komisariatin nr.6 në kryeqytet. Në shtator të vitit të kaluar, 44- vjeçari Frroku ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, pasi sipas tij Lamaj kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 44- vjeçarit. Në kallëzim theksohet se: “Më datë 28.09.2012, biznesmeni Arben Frroku ka qenë duke dalë nga mjediset e biznesit të tij, konkretisht nga lokali ‘Xhoi Lloto’ në të hyrë të lagjes Kombinat. Në automjetin e tij, krahas shoferit Vlash Gjoni, gjendeshin edhe dy miq të tij, Zef Toma dhe Bardhok Zefi, me të cilët do të shkonte në marshimin paqësor përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Por Arben Frroku nuk ka mundur të mbërrijë në këtë marshim të paralajmëruar që dy ditë më parë, marshim i cili kishte si kërkesë shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit nr.6 për abuzimet e tij me detyrën. Sipërmarrësi është ndaluar nga një patrullë policie e Komisariatit nr. 6, dhe ashtu si herë të tjera, ka bërë gati të tregojë letrat e makinës. Por në atë çast, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, aty ka mbërritur shefi i Komisariatit nr.6, Dritan Lamaj, i cili ka nxjerrë me dhunë të gjithë ata që gjendeshin në makinë, ndërsa është lëshuar me grushta dhe shkelma mbi Arben Frrokun, duke e fyer me fjalët më të rënda. Ngjarja ka ndodhur vetëm një orë para se të fillonte marshimi i Lëvizjes Shqipëria e Re, me moton: ‘Ndal korrupsionit në Komisariatin nr.6’”. Kjo ka qenë pikënisja e konfliktit mes Frrokut dhe Lamajt, pa e ditur se ky konflikt do të bëhej shkak edhe për atentatin ndaj kryekomisarit të policisë, Dritan Lamaj, ku do të gjente edhe vdekjen e menjëhershme





