Vanessa Bryant, e veja e Kobe Bryant, ka thënë se për herë të parë për vdekjen e bashkëshortit të saj ka marrë vesh përmes rrjeteve sociale, nga lajmërimet që i kanë shkuar në telefon të cilat thonin “RIP Kobe”.

“Unë po e mbaja telefonin sepse po tentoja të kontaktoja me burrin tim dhe të gjitha ato mesazhe filluan të vinin në telefon duke thënë ‘pusho i qetë Kobe. Jeta ime kurrë nuk do të jetë e njëjtë pa burrin dhe vajzën time”, tha ajo, teksa jepte dëshminë lidhur me vdekjen e tyre, sipas USA Today.

Vanessa tha se ajo u përpoq të shkonte në vendin e përplasjes atë ditë me helikopter, por iu tha se kushtet e motit ishin shumë të këqija, sipas dëshmisë, në padinë që ajo ngriti kundër Los Angeles County.

Ajo gjithashtu u pyet për fotot që u postuan në mediat sociale, duke përfshirë një imazh të fotoshopuar, me fytyrën e burrit të saj, bashkëngjitur fotos së një kufome. Si pasojë ajo ka paditur Departamentin e Sherifit të Los Anxhelosit për shkelje të privatësisë dhe për neglizhencë.

Ylli i basketbollit ka vdekur bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë të tjerë në aksidentin me helikopter në janar të 2020-ës.