Bashkëshortja e Mexhit Picarit, Manushaqe Picari, ka folur mes lotësh për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku burri i saj vrau me breshëri plumbash brenda lokalit ish-dhëndrin.
Gruaja e autorit të krimit, i cili është arrestuar së bashku me vajzën, Dhurata Saliaj, si bashkëpunëtore në ngjarje, rrëfeu për mediat se ish-dhëndri i tyre, Kudret Saliaj, ishte i dhunshëm dhe i kërcënonte të gjithë si familje.
“Na ka rënë në qafë përherë, na ka dhunuar si familje, e përzuri vajzën për çështje xhelozie, e çoi atje në mal donte që ta groposte. Vajzën e arrestuan gjoja për dhunë në familje. Ke edhe kamerat atje, mund ta shihni, ka ardhur me fuoristradë të zezë dhe ka torturuar gocën. Tha goca ‘u frikësova, se ishte një kasolle e frikshme në mal’. Erdhi dhe në lokal tha se do na vriste, erdhi me kamion të na shtypte. “Do ju vras, do ju zhduk familjen”, na tha. Ne shkuam menjëherë në Vorë.
“Ka qenë gjithmonë i dhunshëm. Jemi munduar t’i zgjidhim në gjykatë. Shteti nuk ec mirë. Kur dhunohet një grua, në vend që shteti të fusë burrin në burg, ka futur gocën. Pse të bëjë vajza burg? Në rajonin numër 4 nuk na merrnin dëshminë. Gocën e kanë rrahur dhjetë veta, i kanë thyer brinjët, para ca kohësh na tregoi vajza që e kishin rrahur. Burri ishte dy metra, si mund ta rrihte vajza ime atë? Vajza nuk ka pranuar që ti jepte divorcin, ne punojmë tre turne, e di e gjithë lagja, kam punuar gjithë jetën, dhe na ka futur dhëndri në hasmëri”, tha Manushaqe Picari.





