*Punimet drejt mbylljes përfundimtare
128 familje në qytetin e Durrësit po presin me padurim përfundimin e apartamenteve të reja sociale, për të cilat kanë marrë miratimin e bashkisë së qytetit, dhe të Këshillit Bashkiak. Godinat kanë nisur të ndërtohen në 2014-n, ndërsa në fund të dhjetorit të 2015-s bashkia ka miratuar edhe listën e familjeve përfituese të tyre, në bazë të kushteve dhe të kritereve të përcaktuara për hyrjet 1+1 dhe 2+1.
Nga një vëzhgim që ka bërë “DurrësLajm”, punimet e brendshme dhe ato të jashtme pothuajse janë duke u mbyllur nga firma e cila ka fituar tenderin e ndërtimit. Vendosja e dyerve, dritareve dhe punimet në rrjetin hidraulik pritet të përmbyllin përfundimisht punimet në këto apartamente. Në programin e strehimit për vitin 2016, është parashikuar në buxhet nga bashkia e Durrësit, fondi prej 100 milionë lekësh për përfundimin e 128 banesave sociale me qira të ulët.
Në bashkinë e Durrësit ka rreth tre mijë kërkesa për banesa sociale, një mijë familje kanë lënë banesat e tyre prej vitit 2013, si pasojë e zbatimit të aktit normativ të Qeverisë që iu kthente ish-pronarëve ndërtesat e tyre të sekuestruara në kohën e komunizmit. Midis familjeve që lanë banesat ishin edhe të moshuarit Sofie e Llazi Qëndro, që fjetën 6 javë me radhë në lulishte derisa e moshuara vdiq në stol kruspull nga të ftohtit në 2014-n. Po kaq tragjike u kthye edhe nxjerrja e 59-vjeçarit, muzikantit Isuf Gjilani së bashku me vëllanë e tij të sëmurë mendor nga banesa e katit të katërt, në lagjen numër 4.
59-vjeçari “luftoi” për disa orë me policinë duke hedhur bomba molotov në drejtim të tyre, në formë proteste ndaj vendimit. Të gjithë këta të moshuar nuk mund të bëhen pjesë e politikave për marrjen e një banese me kredi zero, e aq më pak me qira, për shkak të pamundësisë ekonomike.
K.H.