TIRANE, 24 shkurt 2013– Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë sot disa vendime, me anë të të cilave vlerësohet kontributi që kanë dhënë për kryeqytetin disa personalitete të fushave të ndryshme. 

Mësohet se Bashkia e Tiranës ka nderuar me titullin “Mirënjohje e qytetit” Haxhi Maqellarën dhe Veli Radën. 

Kështu i jepet titulli “Mirënjohje e Tiranës” artistit të mirënjohur të folklorit shqiptar, z. Haxhi Maqellara me motivacionin: “Për kontributin ne ruajtjen e vlerave kombëtare, integrimin kulturor të faktorit shqiptar në botë, si dhe për kultivimin e artit dhe muzikës tradicionale të qytetit të Tiranës”. I jepet titulli “Mirënjohje e Tiranës” humoristit dhe artistit të mirënjohur të Estradës së Tiranës, z. Veli Rada, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit dhe kulturës në qytetin e Tiranës”. 

Ndër vendimet e tjera përmendim vendosjen e busit për Sabri Godon e Jeronim De Radën. 

Në njoftimin e Bashkisë thuhet se, “ Miratohet vendosja e bustit të figurës së mirënjohur të Rilindjes sonë Kombëtare, poetit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Jeronim De Rada, vepër e realizuar nga Odise Paskali në lulishten përpara Parlamentit, përballë rrugës Jeronim De Rada, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi. Si dhe bustin e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish deputetit t¸ Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit z. Sabri Godo, në lulishten përpara Parlamentit, ngjitur me shëtitoren “Murat Toptani”, nga Akademia e Shkencave, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi” 

Një vendim tjetër është vendosja e “Memorialit për Simbolet e Diktaturës “POSTBLLOK”, në lulishten që ndodhet në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”, përballë hotel “Rogner”, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi. 

Gjithashtu Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi emërtimin “Skënder Xhiku”, të rrugës nga prerja me rrugën “Arkitekt Sinani” deri në brendësi të bllokut të banimit”.