Djegia e mbetjeve urbane në natyrë konsiderohet si nga faktorët që ka çuar në rritjen e numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e pashërueshme. Shqetësim mjedisor sjellin edhe mineralet dhe mallrat rifuxho të depozituara në kalatat e portit të Durrësit. Cilësia e jetës së qytetarëve vjen duke u përkeqësuar, ndërsa institucionet përgjegjëse vetëm konstatojnë faktet
Djegia e mbetjeve urbane në natyrë po shkakton shqetësime gjithnjë e më të mëdha në shëndetin e qytetarëve. Mjekët po japin alarmin për rritjen e dukshme të numrit të të sëmurëve me kancer dhe sëmundje të tjera të rënda, të shkaktuara nga ndotja. Tashmë është e qartë se mosaplikimi i një strategjie mjedisore nga bashkia e Durrësit dhe Autoriteti Portual po shkakton pasoja të rënda mbi qytetarët. Të dy këta operatorë konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj të qytetit. Bashkia e Durrësit ka në administrim territorin e Porto-Romanos, ku çdo ditë digjen qindra tonë mbeturina, ndërsa Autoriteti Portual ende nuk ka zgjidhur problemin e mbi 360 mijë tonë mineraleve në kalatën lindore, të cilat ngrenë re pluhuri mbi qytet, sidomos kur ka erë të fortë.
Djegia e plehrave
Agjencia e Mjedisit ka dhënë prej kohësh alarmin për ndotjen në shifrat e larta duke i kërkuar kryesisht bashkisë së Durrësit të rrisë përgjegjësinë. Por specialistë të agjencisë thonë se spitali, anijet, automjetet, punishtet dhe kombinatet e ndryshme duhet të mos i depozitojnë mbeturinat në pikën e grumbullimit në Porto Romano, në veri të qytetit, ku kryhet edhe procesi djegies në natyrë. Ndotja në afërsi të vatrës së djegies së plehrave shkon deri në 7-8 herë mbi normën e lejuar, kurse në thellësi kjo ndotje shkon në 2-3 herë mbi normën. Filtra, vajra të makinave dhe anijeve, fuçi me acide, mbetje spitalore etj digjen në mesin e plehrave duke shkaktuar re të dendur tymi helmues që përhapet jo vetëm në pjesën e banuar në Porto Romano, por edhe në thellësi të zonës. Në ditë me erë të fortë nga veriu era e rëndë dhe mbeturinat nga djegia plehrave arrijnë deri në lagjet periferike të qytetit.
Mbetjet spitalore
400-500 ton mbetje spitalore hidhen në të njëjtin kazan të mbeturinave urbane duke përzier në të njëjtin vend sende të rrezikshme me mbetje ushqimore. Garza spitalore, shiringa, placente, materiale e masive të nxjerra gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale përfundojnë një pjesë në qese e të tjera në kosha për t’u hedhur pa asnjë kujdes gjithandej. Ato gjenden si brenda mjediseve të spitalit, edhe jashtë rrethimi por në të dy rastet ndëshkojnë shëndetin e qytetarëve. Durrësi ka pavijon të kirurgjisë, infektivit, gjinekologjisë, urgjencave, morgun dhe aksesorë të tjerë ndihmës. Të gjitha repartet, pavijonet e spitalet prodhojnë mbeturina të cilat duhet të kalojnë në krematorium pa rënë në kontakt me qytetarët. Realisht spitali rajonal ka një krematorium të tillë në afërsi të repartit të pranimit të urgjencave të të rriturve. Madje aty çdo ditë sheh qese e thasë me mbeturina, apo edhe mbeturina të hedhura në tokë. Aty ka shiringa, aparate serumi, garza të ndryshme, edhe nga ato të gjakosura, mbeturina të maternitetit e të infektivit. Furra e djegies së mbeturinave spitalore ka një kapacitet prej 10 kg mbeturina spitalore në një proces, ndërkohë që çdo ditë duhet të realizohen 4 deri në 5 djegie.
Mineralet
Një burim tjetër i ndotjes në qytet vjen nga krahu jugor, porti i Durrësit. Në kalatën lindore, në një sipërfaqe prej afro 90 mijë metrash katrore ndodhen të depozituara mbi 360 mijë tonë minerale si krom dhe ferrokrom. “Malet” janë nën veprimin e drejtpërdrejtë të agjentëve atmosferikë. Shqetësimin më të madh e sjellin në ditët me erë, duke ngritur re pluhuri mbi zonat e banuara, ndërsa në kohë me shi, shkaktojnë ndotjen e basenit ujor. Ndërkohë në kalatën numër 7 shkarkohen anije mijëra tonëshe me qymyr, nëpërmjet një teknologjie të vjetruar e që shkakton ndotje.
Të sëmurët me kancer
Dr. Kristo Huta shpjegon se kanceri është sëmundje shumëfaktorësh. “Më duhet të rendis si shkaktar kryesor duhanin për të pasuar me abuzimet ndaj alkoolit, ndotja e mjedisit ku jetojmë e punojmë, trashëgimia gjenetike, ekspozimi në rrezet e forta të diellit në stinën e verës, kequshqyerja, konsumimi ushqimeve jashtë standardi dhe faktorë të tjerë”. Mjeku thotë se Durrësi si qark ka dhjetëra pika të nxehta mjedisore. “Lumi Erzen dhe Ishëm janë të mbushur me mbeturina kancerogjene. Kjo e ndërlikon edhe më tej situatën. Por në Durrës ka pasur edhe kombinat të kimikateve në Porto Romano, ka djegien e mbeturinave në natyrë, depozitimin në anë të rrugëve e kanaleve të baterive, akumulatorëve të ndryshëm, filtrave, plastikave, bombolave etj. Të gjitha shkaktojë kancer. Nëse dikush abuzon rëndë me duhanpirjen apo përdorimin e alkoolit, me qëndrimin për orë të tëra nën tymin e mbeturinave që digjen atëherë edhe ndëshkimi është fare pranë”. Dhe vërtet, shifrat janë alarmante. Deri para pak vitesh prekja nga kjo sëmundje e pashërueshme renditej e katërta dhe vinte pas sëmundjeve të zemrës, mushkërive dhe aksidenteve. Tani, për shumë shkaqe e faktorë, kanceri ka ngjitur dy shkallë duke zënë vendin e dytë në statistikat e vdekjeve. Disa vjet më parë, ekipi mjekësor i klinikës Rayder në Durrës kujdesej për 30-35 pacientë të prekur nga kanceri. Sot stafit të drejtuar nga dr. Kristo Huta i duhet të vizitojë jo më pak se 80 pacientë në 24 orë.
1.1 milionë dollarë amerikanë shpenzohen në një vit më vetëm nga bashkia e Durrësit për pastrimin e qytetit. Automjetet e ndërmarrjes komunale largojnë qindra tonë plehra nga rrugët dhe sheshet e qytetit, duke i dërguar në vendgrumbullimin e Porto Romanos. Atje mbetjet urbane digjen në natyrë dhe rikthehen në qytet në formën e reve toksike
360 mijë tonë mineraleve janë të depozituara në kalatën lindote, të cilat ngrenë re pluhuri mbi qytet, sidomos kur ka erë të fortë. Kur bie shi, ndotja përcillet në basenin ujor të portit të Durrësit. Ndërkohë në kalatën numër 7 shkarkohen anije mijëra tonëshe me qymyr, nëpërmjet një teknologjie të vjetruar e që shkakton ndotje
Flasin aktorët
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, e ka cilësuar situatën me mbetjet urbane “një bombë ekologjike”. “Prej 3 viteve kemi dhënë alarmin, duke deklaruar se vendgrumbullimi i mbeturinave urbane në Porto Romano do të kthehet në një bombë ekologjike për Durrësin, në rast se nuk do të nisë menaxhimi dhe përpunimi i mbetjeve, thotë Dako. Qyteti çdo ditë e më shumë shton prodhimin e plehrave në një kohë që ato nuk përpunohen apo riciklohen”. Ai shton se mjaft problematike paraqitet edhe djegia e pakontrolluar e plehrave dhe emetimi i gazrave ndotës në ajër. “Nga viti në vit prodhimi i plehrave është rritur së bashku me konsumin dhe numrin e banorëve, gjë që e ka nxjerrë më në pah problemin. Mungesa e trajtimit të mbetjeve urbane, industriale, spitalore, inerteve etj., e bën dhe më të mprehtë shqetësimin”. Dako e shikon zgjidhjen në përpunimin e plehrave dhe riciklimin e mbetjeve urbane. Por kreu i agjencisë së mjedisit, fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarin e bashkisë, Vangjush Dako. “Ndotja në Durrës është disa herë më e lartë sesa shifrat e lejuara. Këtu nuk ka asnjë interesim nga bashkia për të mënjanuar djegien në natyrë”. Kalia shton se bashkia ka dy ndërmarrje të pastrimit, njërën në qytet dhe tjetrën në plazh. “Asnjëra prej tyre nuk e kryen detyrimin institucional. Në rrugë digjen edhe materiale të riciklueshme si kartonë, letër, plastikë dhe këto e ndotin edhe më shumë mjedisin duke rritur rriskun e prekjes së shëndetit qytetar nga sëmundjet. Bashkia duhet t’i jap fund sa më parë këtij fenomeni”. Edhe Ramazan Kalia i bashkohet mendimit se janë të gjitha rrugët e mundësitë për të parë menaxhimin e këtyre mbetjeve duke kthyer sytë edhe nga industria e riciklimit. Me të njëjtin shqetësim bashkohet edhe drejtori i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu. I ndërgjegjshëm për ndotjen që shkaktojnë mallrat rifuxho, drejtori Ndreu e sheh zgjidhjen në postimin e përpunimit të tyre drejt zonave periferike. Një mendim që e ndan edhe deputeti Osman Metalla, i cili e sheh si alternativë për përpunimin e mallrave rifuxho portin e ri në Porto Romano.
Me gjithë deklarimet e aktorëve në Durrës që e njohin problemin, ende nuk ka rrugëzgjidhje. Qytetarët po mësohen me erën e rëndë të plehrave të djegura që vjen nga Porto Romano. Madje po mësohen aq shumë, saqë edhe kur bashkia harron t’u sjellë pak “aromë” nga periferia veriore, u vënë vetë zjarrin kazanëve të plehrave poshtë shtëpive.