Bashkia Durrës planifikon të shpenzojë rreth 12,500,000 lekë për pastrimin e kanaleve të ujërave të bardha në zonën e plazhit.
Pushteti vendor ka hapur këto ditë tenderin që parashikon ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve për të parandaluar përmbytjet në stinën e dimrit, ku lagjja nr.13 është ndër më problematiket në këtë drejtim.
Rrjeti i kanalizimeve të zonës së Plazhit, funksionon me 9 stacione pompimi, të cilat bëjnë ngritjen mekanike të ujërave të zeza dhe të bardha.
“Sistemi i Kanalizimeve të qytetit të Durrësit, është një rrjet pothuajse i vjetër, pasi fillimi i ndërtimit të tij i përket vitit 1928, dhe është projektuar për një territor dhe popullsi shumë të vogël që ka patur qyteti në atë kohë, i cili vazhdon të jetë funksional edhe sot, pavarësisht shtesës demografike të popullatës së qytetit”,– thotë bashkia në dokumentet e tenderit.
Në projekt janë përcaktuar edhe zonat ku do të ndërhyhet:
“Zonat ku do të kryhet sherbimi ndodhen në zonën e Plazhit, në lagjen 13 midis rrugës “Pavarësia” dhe rrugës së Enkelejve. Kjo zonë ndodhet në pjesën jugore të qytetit, dhe përfshin hapësirën ndërmjet Stacionit nr.3 të pompave dhe Stacionit nr.6 të pompave”.

Në këtë hapësirë ku jetojnë afërsisht 10000 banorë, shkarkojnë ujërat e shiut të objekteve të tyre një sërë subjektesh private dhe publike, numri i të cilëve është rritur për shkak të ndryshimeve demografike. Kjo zonë dikur kënetore dhe e pashfrytëzueshme, pas viteve 90 mori një zhvillim të vrullshëm për shkak të shtimit demografik të popullsisë, i cili dha efektet e tij në një zhvillim urbanistik të konsiderueshëm për ekonominë e qytetit.

Objektivi i këtij projekti është përmirësimi i rrjetit të ujërave të shiut nëpërmjet pastrimit të mbeturinave të ngurta (aluvione, plastikë, tekstile) që gjenden të pranishme në kolektorët kryesorë të ujërave të shiut dhe depozitimit të tyre në vaskat e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura.
Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 22 shtator të dorëzojnë ofertat, ndërsa pas lidhjes së kontratës, kompania fituese duhet t’i përmbyllë punimet brenda 90 ditëve.
M.B.





