Bashkia Durrës akordon 16,573,800 lekë për gërmimet arkeologjike tek mozaiku dhe rrënojat e tjera antike që do të realizohen në vazhdimësi në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”.
Në buxhetin e këtij viti, bashkia ka përcaktuar shumën në fjalë, që do të shpenzohet për gërmimet e mëtejshme të shpëtimit në sitin më të ri arkeologjik të qytetit bregdetar.

Që pas prezantimit të mozaikut të përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë, ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale, që i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II, në kantierin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” janë ndërprerë punimet, që në muajin tetor.

Përjashtim bën vetëm ndërtimi i një brezi betoni, për të mbrojtur skarpatën.
“Brezi i betonit është pjesë e projektit të ndërtimit të shkollës “Gjergj Kastrioti”. Ai ka funksionin e traut lidhës të pilotave, të cilat janë ndërtuar për të mbrojtur skarpatën dhe ndërtesat në afërsi gjatë procesit të gërmimit. Procesi i gërmimit nuk mund të fillonte pa bërë mbrojtjen paraprake me pilota të zonës së përcaktuar sipas projektit teknik të miratuar, pjesë e lejes së ndërtimit.”,- bën të ditur UNDP, e pyetur nga “DurrësLajm”.
Ndërkohë, arkeologu Luan Përzhita, i cili udhëhoqi gërmimet që çuan në zbulimin mjaft të rëndësishëm arkeologjik në atë që mendohet se ka qenë një vilë luksoze, që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit, na thotë se do të jetë pushteti vendor dhe dikasteri i kulturës, që do të përcaktojnë ekipin e arkeologëve, që do të realizojnë fazën e dytë të gërmimeve.
Nuk dihet nëse bashkimi i Ministrisë së Kulturës me atë të Ekonomisë dhe emërimi i ministri të ri Blendi Gonxhe do të sjellë vonesa në nisjen e fazës së dytë të gërmimeve të shpëtimit.
“Jemi në komunikim me institucionet përkatëse dhe mbetemi në pritje të mbylljes së procedurave, që janë marrë përsipër nga ana e tyre”,- sqaron UNDP në përgjigje.
Deri tani janë zbuluar disa pjesë të mozaikut, që mendohet të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Përveç mozaikut është zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera.

Pas zbulimeve arkeologjike, që mund të dalin në dritë në fazat e mëtejshme të gërmimeve, do të vendoset edhe fati i shkollës së mesme.
“Deri sa të përfundojë gërmimi arkeologjik dhe të kryhet procedura e vlerësimit dhe trajtimit të gjetjeve arkeologjike nuk ka vendimmarrje për shkollën”,- bën të ditur UNDP.
Rindërtimi i gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të realizohet falë programit EU4Schools dhe zbatohet nga UNDP.
M.B.





