290 milionë lekë do të shpenzohen nga bashkia Durrës për blerjen e kazanëve të rinj për mbeturinat urbane të qytetit.

Tenderi i hapur nga bashkia pak ditë më parë do të mbyllet në fund të muajit prill.

“DurrësLajm” mëson se përmes këtij tenderi planifikohen të blihen 300 kazanë plastikë nga të cilët 200 prej tyre do të vendosen në zonën A të qytetit dhe 100 përgjatë rrugës “Pavarësia”, në zonën e plazhit.

Po me këtë fond, do të blihen edhe 190 kazanë metalikë si dhe 260 kosha të vegjël që do të vendosen në rrugët kryesore të zonës A (rruga “Egnatia”, “Aleksandër Goga”, “Taulantia” dhe “Mars 91”).

Kompania fituese e tenderit pritet t’i dorëzojë kazanët e rinj brenda një periudhe 3 mujore.

Ndërkohë, bashkia ka hapur edhe një tender tjetër për vendosjen e ndriçimit LED në rrugën “Glaukia” (Hysen Myshketa) në vlerën rreth 58 milionë lekë.

“Ky investim në këtë segment do të ketë ndërtim të ri të rrjetit të ndriçimit rrugor në një distancë prej 1250 ml për rrugën “Glaukia”, dhe 200 ml për rrugën “Hysen Myshketa”. Në këtë investim do të bëhet infrastruktura nëntokësore për 49 shtyllat e ndriçimit që konsiston në betonime për 12 shtylla të reja ndriçimi, pasi pjesa tjetër janë ekzistuese, do të vendosen 88 ndricues LED, do vendosen dhe 20 puseta plastike 40x40x40 në një trup të vetëm”,– thuhet në dokumentet e tenderit.

Investimi pritet të përmbyllet brenda 24 ditëve. Në buxhetin e këtij viti është parashikuar ndërhyrja në 16 rrugë kryesore në Durrës, Plazh dhe Shkozet për të zëvendësuar sistemin e ndriçimit aktual me ndriçim Led.

Fondi i parashikuar në buxhetin e këtij viti për vendosjen e ndriçimit LED të rrugëve kap vlerën 101 milionë lekë të reja, bëri të ditur në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2021, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako.