Bashkia Durrës ka hapur konkursin për përzgjedhjen e dy drejtorëve të rinj për Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit dhe Drejtorinë e Arsim, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve fetare.

Postet që deri pak ditë më parë mbaheshin nga Robert Dervishi dhe Ardian Gurra janë vakante, pasi dy drejtorëve ju është miratuar dorëheqja, që e patën kërkuar që në muajin korrik.

Konkursi i shpallur një ditë më parë nga bashkia, pason atë të hapur ditë më parë për përzgjedhjen e dy drejtorëve të tjerë, që u larguan nga posti, Meme Xhaferaj që prej vitesh ishte në krye të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale dhe Ermal Lufos, në Drejtorinë Ekonomike.

Pas performancës së suksesshme, 6 drejtorët Roni Shqiopa (Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore), Oneda Deliallisi (Drejtoria e Auditit të Brendshëm), Ardian Iljazaj (Drejtoria e Shërbimeve), Valbona Qirjako (Drejtoria e Buxhetit), Lorenc Smajli (Drejtoria e Turizmit) dhe Alneida Rroshi (Drejtoria Ligjore) vijojnë të mbajnë postet e tyre në drejtoritë përkatëse.

Vlerësimin e performancës nuk e kaloi as kreu i Klubit Shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, i cili është zëvendësuar në detyrë nga Marvin Rroshi.  

Ndërkohë, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë në krye drejtues të komanduar dhe jo të emëruar, ndërsa ndryshime nuk ka në pozicionet nr.2 në bashki, pasi nënkryetarët Elio Jani dhe Gentian Kallmi mbeten në detyrë.

Pas vizitës që kryeministri Rama kreu në muajin korrik në bashkinë Durrës kërkoi dorëheqjen masive të drejtorëve dhe krerëve të njësive administrative. Nga këta të fundit, 11 gjithsej (në qytet dhe zona rurale) askush nuk arriti të kalonte testin e performancës.

M.B.