Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale, bashkia e Durrësit hap tenderin për rikonstruksionin dhe riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik janë publikuar dy tendera, me vlerë totale 383.355.000 lekë të reja, para që do të përdoren për riparimin e pallateve me dëmtime DS1-DS3, në të cilët dy vite pas tërmetit ende nuk është vënë dorë.

Janë mbi 200 pallate me këtë shkallë dëmi në të gjithë bashkinë Durrës, të cilat presin rikonstruksionin dhe riparimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, ku shenjat që ka lënë lëkundja e frikshme sizmike janë shumë të dukshme.

Bashkia i ka ndarë punimet që do të kryhen në këto godina në dy lote:  

  • Loti 1 me objekt:Rikonstruksioni dhe riparimi mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në Bashkinë Durrës, Njësitë Administrative Nr.1, 2, 3, 4, 5, Sukth
  • Loti 2 me objekt:Rikonstruksioni dhe riparimi mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në Bashkinë Durrës, Njësitë Administrative Nr.5 dhe Rrashbull

Dy tenderat kanë vlerat respektive 176.469.000 lekë dhe 206.886.000 lekë dhe afati i fundit që kanë kompanitë e interesuara të dorëzojnë ofertat është data 3 shkurt.

Pas lidhjes së kontratës, kompanitë fituese duhet t’i përfundojnë punimet në harkun kohor të 168 ditëve, ose rreth 6 muaj.

Duke iu referuar postimit të fundit të bërë nga kryebashkiakja Emiriana Sako në muajin qershor 2021, lidhur me riparimin e pallateve me dëmtime të shkallës DS1-DS3, janë riparuar 405 pallate nga 615 që ishin në total.

M.B.