Bashkia Durrës po planifikon të shpenzojë 290.358.720 lekë të reja për rehabilitimin e zonës që preket nga zgjerimi i varrezave të qytetit.

Në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, që do të mbahet pasditen e së mërkurës, një nga pikat e rendit të ditës është miratimi i përdorimit të këtij fondi nga ana e këshilltarëve.

Në relacionin që u është dërguar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, institucioni i qeverisjes vendore specifikon se pas shpronësimit të pasurive private që preken nga ky zgjerim, lind si domosdoshmëri rehabilitimi i të gjithë territorit që ka kaluar në pronësi të bashkisë.

“Me qëllim rehabilitimin e zonës e cila preket nga ky zgjerim territorial i varrezave, parashikohet të ndërtohet infrastruktura rrugore përfshirë dhe ndriçimin e saj, si dhe rrethimin me mure rrethuese të të gjithë këtij territori, për të shmangur kalimin e qytetarëve që banojnë përreth kësaj zone.”,- shkruan bashkia Durrës në realacion.

Projekti për rehabilitimin e saj zone do të kryhet në dy faza.

“Realizimi i këtij investim do të bëhet në dy vite financimi 2022-2023, përkatësisht:

Viti i parë (2022) në vlerën 75.883.024 lekë me tvsh

Viti i dytë (2023) në vlerën 214.475.696 lekë me tvsh.” – shkruhet në relacion.

Punimet pritet të nisin këtë vit për të vazhduar më pas vitin e ardhshëm.

Vlerën e konsiderueshme që kërkon ky investim, bashkia ka menduar ta sigurojë në dy forma.

Shuma prej 75.883.024 lekë me tvsh, që do të investohet gjatë këtij viti do të sigurohet nga fondet që do të shpenzoheshin për ndërhyrjen në fasadat e pallateve (projekti po zbatohet tashmë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit) dhe për ndërtimin e godinës së drejtorisë së Ndërmarrjes Rruga.

Ndërsa 214 milionët e tjerë do të planifikohen në buxhetin afatmesëm 2023-2025 të bashkisë.

“Ju sqarojmë se nga fondi total që kërkon investimi me objekt “Rehabilitimi i zonës që preket nga zgjerimi territorial i varrezave të qytetit të Durrësit” prej 290.358.720 lekë, aktualisht kemi në dispozicion vlerën prej 75.883.024 lekë me tvsh, dhe pjesa e mbetur prej 214.475.696 lekë me tvsh do të miratohet në PBA 2023-2025”,- shkruhet në relacion.

Në fund të vitit të kaluar dhe muajt e parë të këtij viti, bashkia Durrës realizoi investimin prej 16 milionë lekë të reja për sistemimin e varrezave të reja të qytetit.

Rehabilitimi konsistoi në rikonstruksionin e rrugës, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e shkallareve dhe parcelave të reja etj.

Në muajt e fundit të vitit 2021, qytetit bregdetar i mbaroi hapësira për varre. Për këtë arsye nisi procesi i shpronësimit të pronarëve që kishin pronat private rreth varrezave, për hapjen e dy parcelave të reja.

Varrezat e vjetra ishin planifikuar për një qytet me 80 mijë banorë, ndërkohë që popullsia e Durrësit është trefishuar në dekadat e fundit.

M.B.