Nis asfaltimi i rrugës së plazhit
Bashkia e Durrësit i ka kërkuar firmës zbatuese të punimeve në plazhin e Durrësit të përshpejtojë procesin e rivitalizmit të zonës e të mbyllë brenda muajit qershor të gjitha punimet e planifikuara në projekt.
Gjatë ditës së sotme me ritme të shpejta, ka nisur asfaltimi i të gjithë segmentit ku punohet, nga Ura e Dajlanit deri në sektorin Iliria.
Bashkia akordoi nga buxheti i 2017-s, 200 milionë lekë të reja për fazën përmbyllëse, që është asfaltimi i rrugës së plazhit.
Asfaltimi e mbyllja e punimeve në këtë zonë hap një perspektivë të re e shumë të kërkuar nga të gjithë operatorët turistikë në Durrës.
Ndërsa bregdeti është mbushur me pushues të shumtë të mbërritur nga të katër anët e botës, edhe kërkesa e tyre është përfundimi i punimeve para pikut të pushimeve.
Mbyllja e punimeve lehtëson në maksimum të gjithë trafikun e rënduar që krijohej nga bllokimi i një sensi rruge dhe nga punimet që zhvilloheshin.
Për operatorët turistikë, pushuesit e banorët e plazhit, mbyllja e punimeve do të thotë më shumë pastërti e higjenë, por edhe frymëmarrje në lëvizshmërinë e makinave në qarkullim.
Projekti i ri e ka kthyer rrugën e plazhit në Durrës me një korsi lëvizshmërie, ndërsa korsia tjetër është kthyer në pedonale për turistët.