Bashkia e Durrësit ka hapur dje një tender me vlerë 22 milionë lekë për dixhitalizimin e të dhënave gjeohapësinore të titujve të pronësisë dhe bizneseve të bashkisë Durrës.

Sipas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik, afati për dorëzimin e ofertave do të jetë deri më 20 korrik të këtij viti. Kjo do të shërbejë më pas edhe si bazë për mbledhjen e taksës së pronës.

Nisur nga vlerësimi që ka bërë sektori përkatës i Bashkisë Durrës për ekzistencën e të dhënave gjeohapësinore për të gjithë zonën që ka në administrim, vlerëson si shumë të rëndësishme realizimin e një bazë të dhënash sipas standarteve të NSDI-së (Infrastruktura Kombëtare e të Dhënave Gjeohapësinore) për titujt e pronësisë dhe bizneset e ndodhura në zonën e administruar nga Bashkia Durrës, thuhet në dokumentet e tenderit.

Bashkia e Durrësit thotë se ka nevojë për informacion gjeografik të saktë dhe të përditësuar në lidhje me vendndodhjen e saktë të objekteve ose parcelave si dhe individët të cilën gëzojnë ose pretendojnë të jenë pronarë të këtyre titujve pronësie.

“Ky informacion i domosdoshëm për përmbushjen e detyrave të Bashkisë gjenerohet kryesisht nga administrata e Bashkisë dhe njësitë administrative nën varësi të saj, si dhe nga institucione të tjera Kombëtare ose lokale të specializuara në prodhimin dhe menaxhimin e këtij informacioni. Shpesh këto institucione punojnë në mënyrë manuale, gjë që bën të vështirë transparencën dhe vendim-marrjen. Ky informacion aktualisht përbëhet nga të dhëna alfa numerike si dhe të dhëna grafike. Në të dyja rastet informacioni është i lidhur ngushtë me  pozicionin gjeografik”, sqarohet në të dhënat e projektit.

Bashkia thotë se, aktualisht ky informacion disponohet në formate të ndryshme të pa standardizuara dhe shpeshherë nuk përfshin aspektin gjeografik. Nisur nga nevoja për organizimin, standardizim dhe publikimin e këtij informacioni gjeohapësinor në përputhje me Ligjin Nr. 72/2012, ky projekt synon mbledhjen, përgatitjen, ruajtjen dhe përditësimin e këtij informacioni në Gjeoportalin Lokal të Bashkisë sipas standardeve teknike dhe funksionale të parashikuara në këto legjislacione.

Janë mbi 14000 tituj pronësie që kanë problematika me regjistrimin e A.M.T.P. (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) si rrjedhojë edhe e mungesës ose pasaktësisë së të dhënave ose formatit te tyre të papërshtatshëm, thuhet në dokumentacionin e garës.

Projekti edhe për Tiranën

Dixhitalizimi i pronave dhe krijimi kadastrës është një projekt që duhet të niste në Tiranë që vitin e kaluar me qëllim vendosjen e një bazë të saktë të të dhënave të pronësisë me qëllimin vënien e një takse të re për pronat. Reformimi i taksës së pronave ishte një kusht që qeveria shqiptare nuk e përmbushi dot me marrëveshjen e kaluar që kishte me Fondin Monetar Ndërkombëtar, raporton “Monitor”.