Ditën e fundit të janarit, bashkia Durrës pritet të zhvillojë tenderin “Mobilimi në tregun fshatar (faza II)”.

Shuma e vënë në dispozicion nga bashkia për blerjen e banakëve të tregut të fruta-perimeve kap vlerën 6.665.000 lekë të reja. Në specifikimet e tenderit, bashkia ka kërkuar që afati i garancisë për firmën që do të shpallet fituese do të jetë 2 vite, ndërsa pritet që brenda 30 ditëve nga shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i kontratës të kompletohet montimi i banakëve të markatës së qytetit.

Në dokumentet e tenderit përcaktohen përmasat e banakëve dhe tavolinave metalike, me të cilat do të kompletohet tregu.

Tavolinë metalike, çeliku

– Përmasat 175x90x 75-85 cm

– Banko për tregtimin e fruta / perimeve 

– Struktura me profile metalike 3×4 cm

– Veshja me llamarinë e zezë 2 mm

– Lyerje me bojë antiruxho Ral 5024

– Përmasat : 175x90x 75-111 cm

Në të vetmin treg fruta perimesh të qytetit ushtrojnë aktivitetin rreth 270 tregtarë, të cilët që nga muaji korrik i vitit të kaluar kanë mbetur të papunë, sepse vendi i përkohshëm i vënë në dispozicion nga bashkia për tregtimin e frutave dhe zarzavateve është braktisur prej tyre sepse nuk plotësonte asnjë kusht higjiene për ushtrimin e aktivitetit.

2 javë më parë, “DurrësLajm” solli pamje filmike nga Fusha e Rërës, në lagjen nr.18, ku banakët e tregut të improvizuar ishin hedhur kuturu, ndërsa asnjë tregtar nuk shihej aty.

Jo vetëm tregtarët, por edhe qytetarët e bojkotuan këtë treg të improvizuar, për shkak të largësisë së madhe nga qendra e Durrësit.

I premtuar të përfundonte brenda 3 muajsh, odiseja e rikonstruksionit të markatës së qytetit vijon ende.

Rihapja e tij duket se do të realizohet gjatë muajit shkurt duke marrë parasysh edhe faktin që në fillim të marsit, Durrësi do të zhvillojë zgjedhjet e pjesshme lokale për kryebashkiakun/en e ri.

M.B.