Bashkia e Durrësit ka shpallur tenderin për hartimin e projektit për rikualifikimin e Pallatit te Kulturës. Fondi limit është 3 milionë e 332 mijë lekë. Projekti do të hartojë ndërhyrjet që duhet të realizohen në godinë për ta rikonstruktuar ndërtesën e Pallatit të Kulturës, ku ndodhet edhe teatri “Aleksandër Moisiu”.
Drejtori i qendrës muzeore Elio Bajramaj bën të ditur për “DurrësLajm” se godina ka nevojë për rikonstruksion dhe pikërisht projekti që do të hartohet do të përfshijë në të ndërhyrjet që do të realizohen si dhe koston e rikonstruksionit.
Vetëm pasi të hartohet projekti do të mendohet për aplikimin e tij, mbase në disa faza, nëse rikonstruksioni i godinës do të kërkojë një shumë parash që s’mund të akordohet brenda një viti nga buxheti i bashkisë.
Data e mbylljes për pranimin e kërkesave për pjesëmarrje në tender është 11 maj 2021.
Historiku i Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, Durrës
Teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës, siç quhej më parë, është hapur zyrtarisht në 11 janar të vitit 1963. Shfaqja e parë e tij ka qenë komedia “Vajza nga fshati” e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu.
Ndërtesa ka marrë emrin e artistit me famë botërore Aleksandër Moisiu, me origjinë durrsake, i nderuar dhe respektuar nga qytetarët (së fundmi edhe Universiteti i Durrësit ka marë emrin e tij në nderim të kësaj figure).
Ndërtimi i tij ishte parashikuar në Planin Rregullues të Përgjithshëm të 1942 nën drejtimin e arkitektit italian Leone Carmignani ndërsa realizimi i tij u bë vetëm në 1963 në vendin ku plani parashikonte zyrat e postës. Kantieri për realizimin e tij u bë shkas për zbulimin e Forit Bizantin në afërsi të ndërtesës. Projekti i ndërtesës së teatrit ishte përgatitur nga Valentina Pistoli. E gjithë pjesa poshtë ndërtesës do të kthehej në një stacion të rëndësishëm arkeologjik, ku dallohen lehtë Tepidariumi, Frigidariumi, e Caldariumi,
Teatri ose Pallati i Kulturës, siç janë mësuar ta quajnë qytetarët durrsakë, ndodhet në veri të sheshit Liria. Teatri është një vendkalim jo vetëm për shumë artistë por dhe një vend shumë i frekuentuar nga publiku. Shumë nga ambientet e tij përdoren për konferenca dhe aktivitete te tjera kolektive.
Në 2005 u krye një restaurim dhe rekuperim i ndërtesës. Sot ajo paraqitet si një ndërtesë me forma racionaliste. Fasada e jashtme është e përbërë nga një hyrje me kolona të cilat nisin nga shkalla dhe përfundojnë me një trup me lartësi të dyfishtë të veshur me vetratë.





