Bashkia e Durrësit “harron” riparimin e ambienteve të përbashkëta dhe fasadave të pallateve me shkallë dëmi DS1-DS2-DS3.
Pamjet që “DurrësLajm” po sjell në videon e mëposhtne i përkasin dy pallateve në qendër të qytetit bregdetar. Rreth 2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ajo çfarë ofrojnë këto dy godina është shumë larg propagandës lokale “për pallate shumë më të sigurtë e shumë më të bukur se sa përpara tërmetit”.
Pallati shumëkatësh në krah të Pallatit të Sportit, në lagjen nr.5, me numër 1926, edhe sot e kësaj dite duket sikur i përket ndonjë vendi në konflikt të armatosur. Ngjitja e shkallëve të tij është e frikshme, sepse gjurmët e lëna pas nga tërmeti i ngjajnë një godine të bombarduar. Dhe kur mendon që në të jetojnë rreth 40 familje, mbetet shumë pak vend për të bërë koment. Nga banorë të pallatit mësojmë se ditët e fundit u ka ardhur nga Instituti i Ndërtimit një akt ekspertizë e thelluar, e cila e ndryshon shkallën e dëmit të godinës shumëkatëshe nga DS3 në DS4. Banorët prej thuajse një viti tashmë kanë marrë dëmshpërblimin në vlerën 5 milionë lekë të vjetra dhe i kanë riparuar banesat e tyre, ndërsa tashmë u vjen lajmi se pallati do të riforcohet!!!
Ndërkohë vetëm 100 metra larg godinës së bashkisë ndodhet pallati i ndërtuar nga Teuta Konstruksion. Pasojat e tërmetit janë mjaft të dukshme në fasadat e jashtme, ndërsa ambientet e brendshme fatmirësisht u riparuan pak ditë para zgjedhjeve.
“Harresa” e bashkisë për këto pallate të dëmtuara duket qartë edhe në profilin e kryebashkiakes Emiriana Sako, në rrjete sociale. Postimi i fundit për riparimet e këtyre godinave i përket fund qershorit, ku raportohet se 405 pallate tashmë janë riparuar.
Po ndërkohë përgjatë muajve në vijim, asnjë përditësim shifrash, ndërkohë që vëmendja e drejtueses së pushtetit vendor është përqendruar vetëm në ato pak godina me dëme DS4 që kanë nisur të riforcohen.
Më 12 mars të këtij viti, para pak fushatës intensive elektorale, Sako, përmes një postimi në rrjete sociale, shkruante: “Janë 615 pallate DS1-DS3, qe po rikonstruktohen, nga të cilat 400 janë në prag të përfundimit, ndersa në pjesën tjetër puna vijon me shpejtësi”. Pra shifra 400 pallate të riparuara ishte e ditur që gati 3 muaj përpara postimit të fundit për godinat me këtë shkallë dëmi nga tërmeti.
“DurrësLajm” u interesua zyrtarisht për të mësuar sa pallate DS1-DS3 janë riparuar në total, por përgjigja ishte që duhet të plotësonim një kërkesë me shkrim për të marrë informacion.
Në mungesë të një informacioni zyrtar për këtë çështje na mbetet të dalim në konkluzionin se edhe pas 22 muajsh nga tërmeti, rindërtimi ecën me ritmet jo të duhura dhe mund të jetë e vështirë që qeveria t’i përmbahet premtimit të Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj se “në pranverën e vitit 2022 çdo gjurmë e tërmetit të 26 Nëntorit do të jetë fshirë”.
Janë me dhjetëra godinat në qytet dhe zonën e Shkozetit apo Plazhit që kanë shumë të dukshme pasojat e lëkundjes sizmike, ndërkohë që përveç rindërtimit të dy pallateve të shembura, që ende nuk kanë përfunduar, premtimet për rindërtimin e të tjerëve në po të njëjtin vend deri më tani kanë mbetur të papërmbushur.
Ndërkohë që janë të paktën 4 godina arsimore në qytet, dy prej të cilave shkolla ikonike të Durrësit, të cilat u shpallën të dëmtuara rëndë nga tërmeti dhe Instituti i Ndërtimit vendosi për shembjen e tyre. Por ende ato vijojnë të mbeten në këmbë…
Për të tretin vit, nxënësit e këtyre shkollave do të detyrohen të zhvillojnë mësim pasdite, ndërsa për fatin e këtyre institucioneve arsimore pak dihet.
Përtej prozhektorëve dhe aparateve fotografike që shoqërojnë inspektimet e qeveritarëve dhe pushtetarëve vendorë nëpër godinat që ata duan të propagandojnë, realiteti i shumë familjeve durrsake të prekura nga tërmeti mbetet ende shumë larg të ndjerit të sigurt në shtëpitë e tyre.
M.B.