Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës dhe ajo e Plazhit nga fundi i muajit korrik do të kenë më pak staf në varësi. Me një vendim të Këshillit Bashkiak, të miratuar ditën e sotme, këtyre dy ndërmarrjeve u është hequr sektori i gjelbërimit, i cili tani e tutje, duke nisur nga 30 korriku, do të jetë në varësi të ndërmarrjes Rruga.
Në relacionin që bashkia Durrës u dërgoi këshilltarëve për t’i vënë në dijeni për këtë lëvizje, theksohen arsyet pse gjykohet se Ndërmarrja Rruga do ta ofrojë më mirë këtë shërbim, sesa ç’është bërë deri më tani.
“Duke i shtuar kësaj Ndërmarrje (Rruga) dhe këtë shërbim, bëhet e mundur që i gjithë cikli i realizimit të punimeve infrastrukturore në rrjetin rrugor dhe hapësirat e sheshet publike si: asfaltim, ndriçim, gjelberim, si dhe inventarizimi fizik dhe kontabël i këtyre aseteve të jetë sa më i plotë dhe i përqëndruar në një ndërmarrje. Gjithashtu kjo krijon lehtesi edhe për bazën e të dhënave mbi shërbimin, planifikimin e fondeve dhe realizimin eficent të shpenzimeve”.
Ky shërbim deri më sot është ofruar nga dy ndërmarrje, përkatësisht nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës, e cila ka një sektor për gjelbërimin prej 100 vetash dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Plazh Durrës me një sektor për gjelbërimin prej 13 vetash.
Bashkia vëren se ky shërbim ka pasur problematika dhe gjykon se Ndërmarrja Rruga do të ofrojë një shërbim më të mirë. Ndërmarrja në fjalë, e drejtuar nga Alion Hysko, do të shtohet me 113 punonjës në total nga fundi i muajit korrik.
Pas heqjes së shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave, sektori i gjelbërimit është i dyti shërbim që i hiqet brenda këtij viti Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës.
Aktualisht Ndërmarrja Rruga realizon mirëmbajtjen dhe riparimet e rrjetit rrugor, të shesheve dhe hapësirave publike ndërmjet pallateve, si dhe ndriçimin e tyre. Kjo ndërmarrje e kryen këtë shërbim në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, në qytet dhe njësitë administrative.
“Me kalimin e këtij shërbimi pranë Ndërmarrjes Rruga personeli i kësaj ndërmarrje shtohet me 113 punonjës.. Ky kalim nuk ka efekte financiare në buxhetin e Bashkisë Durrës për vitin 2021, pasi nuk ka ndryshim personeli. Fondet e planifikuara për vitin 2021 për sektorët e gjelbërimit të NSHK-se dhe Ndërmarrjes Komunale Plazh për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe të mbetura të pashpenzuara deri në momentin e transferimit të funksionit të gjelbërimit pranë Ndërmarrjes Rruga do t’i kalojnë Ndërmarrjes Rruga”,- shkruhet në relacionin e bashkisë.





