Bashkia e Durrësit ka lançuar projektin  IN.TO.EU (qytetet së bashku në zbatim të strategjisë gjithë-përfshirëse Europiane) . Projekti, i cili financohet nga Programi Komunitar “Europa për qytetarët”  ka krijuar një partneritet midis Bashkisë Durrës, Bashkisë Palazzo San Gervasio Itali, Bashkisë Teruel Spanjë dhe Bashkisë Olimpia e lashtë në Greqi dhe ka në fokus çështjen e emigracionit, menaxhimit të pritjes së parë të refugjatëve dhe integrimi i tyre në shtetet pritëse. 

Qëllimi i projektit është krijimi i një rrjeti që do të vazhdojë të zhvillohet dhe do të ndajë jo vetëm praktikat më të mira të shteteve partnere në projekt, por gjithashtu edhe sugjerime e propozime për të përmirësuar gjithnjë e më shumë menaxhimin e pritjes së parë të refugjatëve dhe integrimit sa më të mirë të tyre. Bashkia e Durrësit organizoi takimin e parë lokal të projektit me qëllim ndërtimin e një dialogu të përbashkët të orientuar në çështjen e emigracionit, veçanërisht e fokusuar në bashkëpunimin midis institucioneve mbi pritjen e parë, aspektet ligjore si dhe mjetet e qasjet e para të përdorura në këte proçes bashkëveprimi-integrimi. 

Temat që u prekën në takim ishin me një rëndësi të veçantë përsa i përket masave dhe planeve të veprimit për t’u ndërmarrë në raste të mundshme fluksi dhe në raste të një situate emergjente.

Ndihma psiko-sociale, ajo e shoqatave humanitare dhe vullnetare, përfshirja institucionale dhe perceptimi qytetar dhe i shoqërisë civile në raste të menaxhimit të një fluksi të mundshëm refugjatësh nga vende në konflikt ngjalli kuriozitet dhe debat midis të ftuarve.

Përfaqësuesit e institucioneve lokale përbëjnë tashmë pjesë integrale e një grupimi lokal në çështjet sociale, nga ku secili do të jetë i përfshirë në mbarëvajtjen e projektit dhe arritjen e qëllimeve të aktiviteteve konkrete dhe praktike. 

Takimi lokal nuk është i vetmi, pasi Bashkia Durrës do të vazhdojë të organizojë takime të tjera me grupet e interesit këto të shtrira në një kohë prej 24 muaj. Qyteti i Durrësit pret në 21-23 shtator, partnerë Ndërkufitarë dhe Ndërkombëtarë në një konferencë të përbashkët për këtë çështje.