Si asnjëherë më parë, të djathtë e të majtë kanë votuar pro 17 projekt-vendimeve të Këshillit Bashkiak të Durrësit, në një mbledhje ku mungonte kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

Pavarësisht se opozita e këshilltarëve të PD-së dhe të LSI-së debatuan në këshill për investimet publike të cilat janë duke u kryer, këshilltarët miratuan projektvendimet e paraqitura, midis tyre edhe për investimin prej 1.1 milionë eurosh në qendër të Durrësit, dhe për fondin 2 milionë euro në plazhin e Shkëmbit të Kavajës. Këto investime ishin të ndara në faza në buxhetin afatmesëm të bashkisë së Durrësit në vitet 2019 e 2020.

Në rrugën “Egnatia”  po investohen 2 milionë euro për rivitalizimin e kuartalleve dhe në rrjetin e kanalizimeve për të shmangur përmbytjet dhe fondi i bashkisë mbyll përfundimisht punimet, ndërsa në plazhin e Shkëmbit të Kavajës pritet të investohet në kuartalle e në një shëtitore bregdetare.

Për këshilltarët demokratë duhet të respektohen afatet e mbylljes së punimeve në qendër të Durrësit. Shkëlqim Fortuzi kujtoi edhe çështjen e fushës së mbetjeve urbane në Porto-Romano, që sipas tij vijon të jetë gangrenë mjedisore për qytetin. 

Edlira Hyseni e LSI-së, e cila ishte e vetmja këshilltare e cila ngriti kartonin e kuq, tha se këshilli sot po njihet me këtë projet për të cilin ka akorduar 2 milionë euro Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe nga Këshili Bashkiak po kërkohen 1 milionë euro të tjera për një gjatësi rruge prej 500 metrash nga shkolla “Jusuf Puka” deri te godina e Bankës Tregtare. Sipas saj, mungon transparenca nga ana e bashkisë në përdorimin e këtyre fondeve. Hyseni i kërkoi informacion bashkisë se me çfarë kriteresh përcaktohen vlerat e përdorimit të këtyre fondeve në investime.

Vetëm pas ngritjes së disa pikëpyetjeve nga ana e Hysenit në lidhje me transparencën e fondeve publike, ka reaguar kreu demokrat Teliti, i cili më shumë se për transparencë fondesh foli politikisht për to.

Pavarësisht mungesës së kryebashkiakut Dako në mbledhje, ishin drejtorët e sektorëve ata të cilët dhanë shpjegime për çdo pyetje të këshilltarëve.

K.H.