Nga Mila Ballhysa
Që nga 26 nëntori, bashkia e Durrësit është në gjendje emergjence për shkak të pasojave të rënda që tërmeti shkatërrimtar la pas. Por si të mos mjaftonin dy fatkeqësitë natyrore, tërmeti dhe pandemia, bashkia përballet edhe me mungesën e stafit. Vetëm ditën e premte, pushteti vendor arriti të plotësonte me personel 10 vendet vakante të krijuara disa muaj më parë. Pandemia pezulloi konkurset dhe për pasojë institucioni i qeverisjes vendore kishte mungesa në staf.
Por nëse në nivel specialisti bashkia arriti të përzgjedhë kandidatët e përshtatshëm për vendet vakante, ndryshon puna kur bëhet fjalë për titullarë drejtorish. Aktualisht janë 4 drejtori të rëndësishme që prej javësh dhe muajsh kanë mbetur pa drejtor, madje edhe konkurset nuk arritën të prodhonin kandidatë të përshtatshëm për këto poste.
Bëhet fjalë për Drejtorinë Ekonomike, të Burimeve Njerëzore, të Turizmit dhe të Punëve Publike. Përjashtim bën vetëm kjo e fundit, për të cilën ende nuk dihet nëse kandidati i vetëm në konkursin e mbajtur ditën e premte arriti të bindte komisionin se ishte ai personi i përshtatshëm për këtë post.
Për 3 drejtoritë e para, ose nuk pati kandidat, ose konkursi nuk prodhoi kandidat fitues. Kur merr në konsideratë faktin se bashkia e Durrësit ka 10 drejtori, 4 prej të cilave nuk kanë titullarë, dhe njëkohësisht mungesa në staf ka edhe përsa i përket nënkryetarëve, ndërsa kryebashkiakja është në detyrë dhe jo e zgjedhur nga qytetarët durrsakë, situata rëndohet edhe më shumë.
Ka rreth një vit (që nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019) që në bashkinë Durrës ikin dhe vijnë drejtuesit pa “ngrohur” ende karriken. Në një vit bashkia ndërroi 3 kryebashkiakë (Valbona Sako, Zhuljen Varfaj dhe Emiriana Sako), megjithëse është ndër qytetet më të dëmtuara nga tërmeti dhe pandemia dhe sektori i turizmit është gjunjëzuar. Paradën e kryebashkiakëve që zëvendësojnë njëri-tjetrin e ka pasuar edhe drejtoria e Burimeve Njerëzore me 3 drejtorë të ndërruar (Drita Zeneli, Irena Shkarpa dhe Patriot Beqaraj.)
E ndërsa konkurset shpallen publikisht, por nuk prodhojnë kandidatë fitues, pyetjet që natyrshëm të shkojnë në mendje janë disa:
- Partia Socialiste e Durrësit i ka shteruar burimet njerëzore për të zëvendësuar vakancat në bashki, të cilën e drejton prej 20 vitesh?
- Profesionistët bojkotojnë konkurset publike, pasi i paragjykojnë këto të fundit si të paracaktuara që më parë?
- Dikush përfiton nga mungesa e titullarëve në drejtori të ndryshme?
I goditur rëndë nga tërmeti dhe pandemia, Durrësi me rreth 300 mijë banorë “dështon” për të nxjerrë kandidatura të përshtatshme për disa poste drejtorësh në institucionin e qeverisjes vendore. Zgjedhjet për pushtetin vendor duken të largëta dhe qytetarët tani për tani janë të privuar për të zgjedhur me votë kryebashkiakun/en e ardhshme të tyre.
Prandaj dhe deklarata në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak njëngjyrësh se “Kryetar bashkie në Durrës është Edi Rama!” nuk duhet parë me nota humori. Në qytetin nr.2 të Shqipërisë zbatohen projekte që kënaqin guston estetike të kryeministrit dhe beniaminëve të tij në Durrës, por që dështojnë për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komunitetit. Qyteti bregdetar, vit pas viti, ka dështuar së prodhuari drejtues që parësore në punën e tyre të kenë qeverisjen e mirë dhe marrjen e mendimit qytetar dhe profesional për investime të rëndësishme publike.
Por nga ana tjetër, qyteti ka bjerrur vit pas viti qëndresën qytetare për të ngritur fort zërin për hapësirat e gjelbërta të munguara, për parkimet gjithnjë e më të pakta, për rrugët e shkepura nga 3-4 herë dhe gjithnjë e më pak funksionale, për mungesën e investimeve cilësore në periferi, për shkatërrimin e siteve arkeologjike dhe historike etj, etj.
“Çdo popull meriton qeverisjen që ka!” duket, fatkeqësisht, mjaft aktuale në Durrës.