Pas shqetësimit të ngritur sot në portalin “DurrësLajm” në lidhje me mosrakordimin e orarit të tregut të fruta-perimeve dhe atë të vendosur nga qeveria për daljen e qytetarëve në qytet, Bashkia e Durrësit ka dalë me një njoftim të ri.

Kryetari i Bashkisë Zhuljen Varfaj, urdhëroi që administrata e Tregut Agrobujqësor të organizojë funksionimin normal të tregut duke reduktuar orarin e aktivitetit të tij nga ora 06.00-10.00 dhe nga ora 16.00-18.00, që përkon kështu me orarin e vendosur nga qeveria.

Më herët, Bashkia kishte njoftuar që tregu do të funksiononte në orarin 07:00-15:00. Por tregu i fruta-perimeve sot megjithëse qëndronte i hapur, nga vëzhgimi që bën “DurrësLajm” në terrren, konstatoi se nuk kishte asnjë klient. 

Pas orës 18:00 të vijohet me pastrimin e mbeturinave dhe dezinfektimin e tij nga Ndërmarrja e Sherbimit Komunal Durrës, ndërsa tregtarët duhet të respektojnë dhe rregullat më poshtë në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e virusit COVID 19.

NJOFTIMI I BASHKISË DURRËS

Në zbatim të masave të qeverisë për të luftuar përhapjen e virusit COVID 19, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj urdhëroi që administrata e Tregut Agrobujqësor të organizojë funksionimin normal të tregut duke reduktuar orarin e aktivitetit të tij nga ora 06.00-10.00 dhe nga ora 16.00-18.00.

 Pas orës 18 të vijohet me pastrimin e mbeturinave dhe dezinfektimin e tij nga Ndërmarrja e Sherbimit Komunal Durrës.

 Të ndiqen politika për reduktimin e tregtarëve sipas posteve (numër tek dhe çift në ditë të ndryshme), duke respektuar distancën 2 m nga njëri – tjetri.

 Të mos lejohet tregtimi i produkteve ushqimore nga tregtarët pa masa mbrojtëse (maska dhe doreza).