Bashkia Durrës në partneritet me bashkitë e Palazzo di San Gervasio Itali, Teruel Spanjë dhe Olimpia e lashtë Greqi, është në fazën e zbatimit të projektit IN.TO.EU, i cili ka për qëllim të përballet dhe analizojë temën e imigracionit në nivel Evropian dhe lokal duke u fokusuar veçanërisht edhe në promovimin e dialogut si dhe rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit ndërmjet aktorëve privatë dhe publikë lidhur me fenomenin e imigracionit.

Në këtë kuadër, nga Bashkia Durrës, më datë 2 maj 2017, në Sallën e Këshillit Bashkiak, është zhvilluar takimi i tretë lokal me temë: “Ndërveprimi dhe dialogu me qytetarët e territorit pritës” (Interaction and dialogue with the citizens of the receiving territory). Në këtë takim pati një pjesëmarrje shumë të gjerë me përfaqësues nga shoqëria civile, nga trupi akademik, shoqata e ‘Bicycle Durrës’, studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, përfaqësues nga Bashkia Durrës etj.

Organizimi i këtij takimi lokal me një program të ngjeshur kishte si qëllim promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis qytetarëve/komunitetit durrsak me institucionet lokale pritëse si dhe nxitjen e vullnetarizmin rinor për menaxhimin e situatave të pritjes së parë të imigrantëve si dhe integrimin e tyre në qytete.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi lokal është zhvilluar një sesion i veçantë kushtuar ndërveprimit dhe dialogut me qytetarët e territorit pritës, duke informuar pjesëmarrësit mbi rolet dhe përgjegjësitë e këtij të fundit për një integrim sa më të mirë të imigrantëve.

Për më tepër, në këtë takim u zhvillua edhe një sesion mbi rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të qytetarëve lidhur me rolin e BE-së për të adresuar fenomenin e migrimit, duke u ndalur më së shumti në prioritetet afatshkurtra dhe afatgjata të Axhendës Evropiane për Migrimin (maj 2015).