Projekti i shëtitores bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Kavalishenca në Plepa do të hartohet nga kompania Studio Services “K-SA”, me seli në qytetin bregdetar.

Projekti i shëtitores bregdetare është përmendur për herë të parë thuajse para dy vitesh nga kryeministri Edi Rama, ndërsa inspektonte pallatet e dëmtuara nga tërmeti në plazhin e Durrësit. Gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, investimi që pritet të nisë në muajt në vazhdim u përmend disa herë nga kryebashkiakja Emiriana Sako gjatë takimeve me qytetarët, por edhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe operatorëve turistike.

Shëtitorja do të jetë pothuajse e njëjtë me atë që bashkia ka realizuar përgjatë plazhit në hyrje të shkëmbit të Kavajës deri tek përroi i Agait në kufi me Golemin. Nuk dihet ende sa do të jetë kostoja e këtij investimi.

Në ndryshim nga shëtitorja bregdetare e realizuar në plazhin e Durrësit vite më parë dhe nga e cila shumë pak ka mbetur nga forma origjinale për shkak të ndërhyrjeve në të nga ana e lokaleve, restoranteve, hoteleve dhe plazheve private që operojnë aty, shëtitorja e re pritet të jetë më e zgjeruar dhe të këtë disa komponentë përbërës.

Disa prej këtyre komponentëve pritet të jenë:

1. Realizimi i një shetitore lineare përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme.

2. Realizimi i një shëtitoreje për të shërbyer si një hapësirë e përbashkët, e korsive të dedikuara për këmbësorët dhe çiklistët.

3. Realizimi i stacioneve dhe zona të dedikuara sportive duke përfshirë sportet ujore ato në rërë,

4. Sheshe lojërash për fëmijë.

5. Aktivitete të shpërndara përgjatë shëtitores në një interval  400-500m

6. Realizimi i stacioneve, pikave për ushqim, si bare restorante

7. Sheshe dhe hapësira për argëtim dhe aktivitete kulturore

8. Realizimi i strukturave për mundësi investimesh të lehta për të përmirësuar shërbimet përgjatë plazhit.

9. Realizimi i hapësirave për vendosjen e veprave të artit

10.Realizimi i strukturave për relaksim dhe plazh.