Bashkia e Durrësit është vënë sërish në kërkim të një drejtori të Burimeve Njerëzore. Postin e rëndësishëm që nga shtatori i vitit 2019, e kanë “ngrohur” për një kohë të shkurtër vetëm dy persona, të dy të përzgjedhur me konkurs dhe që më pas dhanë dorëheqjen.
Pas dështimit të konkursit në muajin gusht 2020, i cili nuk prodhoi asnjë kandidat fitues, në fillim të këtij viti të ri, Bashkia e Durrësit ka rihapur sërish procedurën për të gjithë të interesuarit.
Në faqen zyrtare të bashkisë janë shpallur kriteret që duhet të plotësojë kandidati/ja e interesuar dhe dokumentacionin që duhet të paraqesë pranë institucionit të qeverisjes vendore.
Pas dorëheqjes së ish-drejtoreshës historike Drita Zeneli, në shtator të vitit 2019, konkursi i zhvilluar në muajin nëntor shpalli fituese Irena Shkarpën. Por kjo e fundit dha dorëheqjen vetëm një javë më pas, fill pas dorëheqjes në atë kohë të ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi.
Konkursi i zhvilluar në fillim të vitit 2020 nxorri fitues Patriot Beqaraj, i cili qëndroi vetëm pak muaj drejtor i Burimeve Njerëzore, për të dhënë më pas dorëheqjen e parevokueshme në fillim të muajit korrik të vitit të kaluar.
Konkursi i zhvilluar gjatë muajve të nxehtë të verës dështoi, pasi komisioni nuk nxorri fituese kandidaten e vetme në garë, Nikoleta Rushën, përgjegjësen e sektorit të arsimit në bashki.
Mbetet për t’u parë nëse konkursi i radhës do të prodhojë një kandidat të përshtatshëm për këtë post.
Muajt e fundit, bashkia e Durrësit ka shpallur fitues për dy poste drejtorësh Ardian Iljazaj dhe Arben Isaku (respektivisht Drejtoria e Shërbimeve dhe Drejtoria Ligjore), dy kandidatë për të cilët dega lokale e Partisë Demokratike ka reaguar përmes konferencave për shtyp.
Krahas konkursit për Drejtorin e Burimeve Njerëzore, bashkia e Durrësit ka shpallur 3 vende të lira pune, në nivel specialisti:
- Specialist i Kadastres dhe GIS në Sektorin e Administrimit te Pyjeve, Drejtoria e Mbrojtjes Civile, Bujqesise Pyjeve dhe Sherbimit Veterinar
- Specialist në Sektorin e Administrimit te Pyjeve, Drejtoria e Mbrojtjes Civile, Bujqesise Pyjeve dhe Sherbimit Veterinar
- Specialist ne Sektorin e Planifikimit dhe Kontrollit te Zbatimit te Lejeve prane Drejtorise se Planifikimit dhe Kontrollit te Zhvillimit te Territorit
Në fund të muajit janar, bashkia e Durrësit pritet të shpallë kandidatët që kualifikohen për fazën e testimit me shkrim dhe intervistës së strukturuar me gojë.
M.B.





