DURRES– Është zhvilluar në Durrës takimi konsultativ: 'Qeveria Lokale, Qytetarët dhe Shoqëria Civile në Durrës: si të përmirësojmë komunikimin, pjesëmarrjen dhe transparencën nëpërmjet përdorimit të teknologjisë' që është organizuar nga Bashkia e qytetit dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, Tiranë, si pjesë e projektit 'Auditimi i Llogaridhënies Sociale në Qytetet e Durrësit, Prishtinës, Shkupit, Banja Lukës dhe Sarajevës', financuar nga Banka Botërore.

Skenarët e diskutuar  përgjatë takimit u përmblodhën në një raport në trajtë rekomandimesh me synimin që të bëhen pjesë e Planit Strategjik të Zhvillimit Ekonomik Lokal të qytetit të Durrësit. Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Adrian Çela deklaroi se Bashkia në të gjithë aktivitetin e saj ka patur në plan të parë një transparencë maksimale kundrejt qytetarëve të Durrësit.

“Bashkia Durrës është krenare të përçojë sot me këtë takim, që objekt të qeverisjes ka zbatimin e kërkesave dhe detyrave që kërkon zhvillimi i qëndrueshëm. Për këtë ka iniciuar dhe përkrahur nisma në përmirësimin e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët si: realizimin e  zyrës “One stop Shop “; projektin “Doing Bussines” me përmirësimin e kërkesave dhe procedurave administrative për biznesin dhe qytetarët; projektin e-Governance ose e-Qeverisja (qeverisja elektronike ) etj”,- tha nënkryetari Çela

Sipas Çelës qytetarët sot marrin çdo informacion nga të gjitha strukturat e Bashkisë nëpërmjet faqes së internetit. “Pasurimi me informacion është i përditësuar”,- tha ai.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar të merrnin pjesë grupe të ndryshme, shoqërore, shoqëria civile, biznese, si dhe media për të diskutuar në lidhje me skenarë ndërhyrjesh të mundshme për të rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve në qytet, rritjen e nivelit të pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrje, si dhe transparencës së proceseve, nëpërmjet përdorimit më efektiv të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.